E Diel, 1 Nëntor 2026

Monitorimi i buxhetit dhe rregullave fiskale, Ministria e Financave propozon ngritjen e Këshillit Fiskal

TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Ministria e Financave propozon krijimin e një institucioni të ri të pavarur, Këshillit Fiskal të Republikës së Shqipërisë, i cili do të ketë si mision monitorimin e zbatimit të rregullave fiskale, vlerësimin e politikës fiskale dhe dhënien e opinioneve të pavarura mbi qëndrueshmërinë e financave publike.

Sipas projektligjit të hedhur për konsultim publik, Këshilli Fiskal do të jetë person juridik publik dhe do t’i përgjigjet drejtpërdrejt Kuvendit të Shqipërisë, duke ushtruar veprimtarinë e tij në mënyrë të pavarur nga çdo institucion tjetër publik apo subjekt privat.

Nisma, e hartuar me mbështetjen e Bankës Botërore, synon të adresojë mungesën e një strukture të dedikuar për vlerësimin e pavarur të politikave fiskale dhe makroekonomike, si dhe të rrisë transparencën dhe besueshmërinë e financave publike.

Projektligji parashikon që Këshilli Fiskal të përbëhet nga tre anëtarë me mandat gjashtëvjeçar dhe me kohë të plotë, të zgjedhur nga Kuvendi përmes një procedure publike konkurrimi. Kryetari do të ketë pagë të barasvlershme me atë të një ministri, ndërsa dy anëtarët e tjerë do të përfitojnë 85% të pagës së kryetarit.

Anëtarët duhet të kenë të paktën 10 vite përvojë profesionale në financa publike, makroekonomi ose kërkim shkencor në ekonomi, si dhe të mos kenë ushtruar funksione politike apo të kenë qenë të punësuar në administratën publike dy vitet e fundit para emërimit.

Ndër detyrat kryesore të institucionit përfshihen vlerësimi i Kuadrit Makroekonomik dhe Fiskal, projektbuxhetit vjetor, raportit të zbatimit të buxhetit, si dhe monitorimi i respektimit të rregullave fiskale të përcaktuara në ligjin organik të buxhetit.

Opinioni i Këshillit Fiskal për dokumentet kryesore buxhetore do t’u bashkëlidhet materialeve që i paraqiten Këshillit të Ministrave ose Kuvendit, ndërsa në rast mosmarrjeje parasysh të rekomandimeve, Ministria e Financave do të duhet të hartojë një relacion shpjegues që publikohet dhe i dërgohet Kuvendit.

Institucioni do të mbështetet nga një Sekretariat Teknik me pesë ekspertë me përvojë të paktën shtatëvjeçare, të përzgjedhur përmes procedurave konkurruese.

Sipas relacionit të projektligjit, krijimi i Këshillit Fiskal pritet të forcojë disiplinën fiskale, të rrisë transparencën në menaxhimin e financave publike dhe të përmirësojë cilësinë e parashikimeve fiskale.

Financimi i institucionit do të bëhet nga buxheti i shtetit, me autonomi financiare dhe auditim të jashtëm nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Kostoja totale e ngritjes dhe funksionimit të tij vlerësohet në rreth 39 milionë lekë, ku përfshihen pagat, shpenzimet operative dhe ato kapitale fillestare.

Në projektligj përcaktohet se pas miratimit në Kuvend, Komisioni për Ekonominë, Financat dhe Punësimin do të propozojë anëtarët e parë brenda 90 ditëve, ndërsa Këshilli Fiskal do të nisë funksionimin pas emërimit të tre anëtarëve të tij.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›