Moody’s rishikon me rritje ekonominë shqiptare, Malaj: Ndikim ulja e borxhit, rritja e investimeve

Ministri u ndal në treguesit ekonomikë.
“Gjithashtu të ardhurat për frymë janë rritur nga 3 300 euro që shënonin në 2013 në 10 380 euro që pritet të jenë në fund të 2024. E ndërsa PBB në vendet e rajonit u rrit me 53% gjatë 10 vjeçarit të fundit, në Shqipëri ajo është rritur me 80 %”, u shpreh Malaj.
Nga ana tjetër, sipas tij, papunësia shënoi nivelin më të ulët historik. “Nga 16% që ishte në 2013 arriti në 10.7% në fund të 2023. Ky nivel është ndjeshëm më i ulët me vendet e rajonit ku shkalla e papunësisë u regjistrua në 12.4%”, vijoi ministri i Financave.
Ndërsa sa i takon inflacionit mesatar gjatë periudhës 1014-2023 Shqipëria rezultoi në nivelin 2.5% ndërsa në rajon kjo shifër u llogarit në nivelin 3%.
Investimet e huaja direkte në ekonomi në Shqipëri kanë qenë 8% e PBB, gjatë periudhës 2013- 2023, konsiderueshëm më të larta se vendet e rajonit që shënonte 6.1%.
Gjithashtu edhe borxhi publik gjatë 10-vjeçarit të fundit ka njohur rënie të qenësishme, pavarësisht tre krizave të rënda siç ishin tërmeti, pandemia apo ajo energjetike.
“Borxhi publik është reduktuar me mbi 14%. Nga 70.4 % PBB që shënonte në 2014, ky tregues është ulur në 56.3% që pritet të jetë në fund të 2024”, tha Malaj.
Në një kohë kur borxhi publik në vendet e rajonit është rritur mesatarisht me 9% gjatë 10 viteve të fundit, Shqipëria, theksoi ai, mundësoi një ulje me rreth 14 pikë përqindje.
Ministri theksoi se, treguesit pozitivë të ekonomisë shqiptare janë vlerësuar edhe nga institucionet e tjera ndërkombëtare, çka tregon për rrugën e duhur të financave publike dhe reformave.