E Martë, 3 Nëntor 2026

Morën me forcë dhe mbajtën peng një 68-vjeçar, arrestohen pesë shtetas

TIRANË, 30 prill /ATSH/ Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Imediat”, duke arrestuar pesë shtetas që dyshohet se bashkëpunuan për të marrë me forcë dhe mbajtur peng në një zonë periferike një 68-vjeçar, si dhe kërcënuan bashkëshorten e tij, për t’i marrë 2 milionë lekë.

Policia gjithashtu ka sekuestruar 1 746 000 lekë nga shuma që bashkëshortja iu dha këtyre shtetasve.

Menjëherë pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se më datë 29.04.2025, disa shtetas kishin marrë me forcë një shtetas, të cilin e kishin mbajtur peng dhe në këmbim të lirisë së tij i kishin marrë një shumë të madhe parash, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë organizuar punën për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, të kryera në kuadër të operacionit “Imediat”, u arrestuan pesë shtetasit e dyshuar të implikuar në këtë rast, konkretisht: shtetasit S. S., 31 vjeç, K. S., 21 vjeç (vëllezër), I. M., 21 vjeç, B. I., 57 vjeç dhe N. B., 32 vjeçe, të gjithë banues në Tiranë.

Nga hetimet, pamjet filmike dhe provat e siguruara ka rezultuar se shtetasit S. S., K. S. dhe I. M., në rrugën “George W. Bush”, kanë marrë me forcë në një automjet dhe kanë mbajtur peng, në një banesë të braktisur të fshatit Kakunjë, shtetasin E. A., 68 vjeç. Dhe më pas kanë telefonuar bashkëshorten e tij, të cilën e kanë shantazhuar për jetën e 68-vjeçarit, duke i kërkuar shumën prej 2 000 000 lekësh. Kjo shumë i është dorëzuar shtetasit B. I., në zonën e Saukut.

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes, janë kryer kontrolle në banesat e këtyre shtetasve si dhe në një automjet me të cilin lëviznin shtetasi S. S. dhe shtetasja N. B., ku u gjetën dhe sekuestruan 1 746 000 lekë të dyshuara të marra nëpërmjet kanosjes nga bashkëshortja e shtetasit E. A.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›