Rama: Shtojmë programet për nxitjen e aftësive digjitale, përgatitje e të rinjve për tregun e punës

TIRANË, 30 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me të rinj të angazhuar në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, të cilët kanë përfunduar me sukses kursin e kodimit në kuadër të nismave për zhvillimin e Shqipërisë Digjitale.
Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, Rama u shpreh se qëllimi i programeve të tilla është nxitja e aftësive digjitale dhe përgatitjen e të rinjve për tregun e punës së së ardhmes.
Po ashtu, Rama tha se është shumë e rëndësishme që të rinjtë të jenë të informuar për ekzistencën e këtij programi dhe për mundësinë e hyrjes në këtë rrugë.
“Ne e kemi nisur në fillim nga zero dhe pikërisht në fillim problem kryesor ishte informimi dhe sqarimi i të rinjve mbi të mirat dhe dobinë e një eksperience të tillë, por nuk u desh shumë kohë për të parë një bum aplikimesh. Kanë qenë mbi 7 mijë aplikime në portalin e-Albania, gjë që na ka inkurajuar të shohim përtej këtij programi dhe të gjejmë se si të shtojmë numrin e rrugëve për të aksesuar teknologjinë duke krijuar hapa pas hapi një sistem”, tha Rama.
Piramida, sipas tij, është vetëm një pjesë e këtij sistemi.
“Sot kemi në funksion “Durana Tech Park”, një tjetër hapësirë ndryshe nga Piramida, por e nevojshme për sistemin dhe që po ashtu po na jep arsye për të qenë të inkurajuar dhe të frymëzuar që të vazhdojmë më tutje”, tha kryeministri.
Po ashtu, Rama theksoi se janë në funksion edhe programi i shtrirjes së qendrave TUMO jashtë Tiranës, si dhe laboratorët inteligjentë në shkolla.
“Qendra TUMO e ka treguar qartësisht tani dobishmërinë e saj për shumë fëmijë. Kemi sistemin e laboratorëve inteligjentë në shkolla. Sot janë 340 shkolla me laboratorë inteligjentë ku fëmijët që në klasën e parë marrin nocionet e para të teknologjisë e kodimit. Plani është që të shkojmë në një mijë laboratorë, praktikisht të mbulohen të gjitha shkollat, një plan i financuar tanimë”, tha Rama.
Edhe në qytetin e Vlorës, sipas Kryeministrit, ka përfunduar një tjetër strukturë e cila po kompletohet me infrastrukturën e nevojshme për të krijuar një tjetër hapësirë në funksion të këtij sistemi.
/r.e/a.f/