Mori ryshfet “për të hyrë mik” te gjyqtari, SPAK dërgon për gjykim avokatin Bardhi Koçi

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen penale ndaj Bardhi Koçit dhe Pranvera Meshit, të akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.
Sipas SPAK, Bardhi Koçi, në kohën kur ishte i punësuar si auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit, ka kërkuar dhe përfituar shuma të ndryshme parash nga disa shtetas, me premtimin se do të ndikonte tek gjyqtarë dhe ekspertë të institucioneve të drejtësisë.
Në një rast konkret, ai ka kërkuar 1500 euro dhe ka marrë 1000 euro nga shtetasja Pranvera Meshi, me qëllim ndërhyrjen në vendimmarrjen e një gjyqtari që shqyrtonte një çështje në ngarkim të saj.
Gjithashtu, Koçi ka kërkuar 1300 euro nga shtetasi A.M., për të ndikuar në përshpejtimin e një seance gjyqësore për masën e sigurisë ndaj shtetases N.M., e arrestuar për drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt.
Një tjetër episod i dokumentuar tregon se ai ka përfituar nga shtetasi R.G., për të ndikuar tek ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore në lidhje me një akt ekspertimi kimik për një sasi lënde narkotike të sekuestruar shtetasit B.G.
SPAK ka dokumentuar gjithsej pesë episode të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm dhe ka bërë me dije se hetimet vijojnë për fakte të tjera të mundshme që kanë dalë gjatë procedimit penal nr. 229, i regjistruar më 27.08.2021.
/vizionplus.tv