Mosfunksionimi i SelfCare, Binaj: Raportimet nga bizneset, në një kohë të dytë

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Pas raportimeve nga disa biznese për problematika në transmetimin e të dhënave të faturave të fiskalizuara dhe deklaratave doganore për shkak të mosfunksionimit të sistemit SelfCare në e-Albania, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, u shpreh se të dhënat që nuk arrijnë të raportohen mund të mblidhen dhe dorëzohen në një kohë të dytë.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin e Financave, Petrit Malaj, kreu u DPT-së tha se sistemet janë të avancuara dhe se problematika mund të ndodhin kudo.
“Sistemet tona janë nga më të avancuarat dhe ne jemi në zhvillim të tyre të vazhdueshëm, duke përfshirë edhe Inteligjencën Artificiale. Sigurisht që gjatë punës sonë ka momente që sistemet krijojnë probleme, kjo ndodh kudo dhe ato adresohen nga strukturat e IT-së me përgjegjësi maksimale për të ndihmuar bizneset në punën e tyre. Kur ndodhin këto problematika, bizneset kanë mundësi që të dhënat që nuk janë në gjendje t’i raportojnë në sistemin tonë të fiskalizimit, t’i mbledhin dhe t’i raportojnë në një kohë të dytë”, deklaroi Binaj. /j.p/r.e/