E Diel, 1 Nëntor 2026

Lideri i opozitës izraelite: Besa shqiptare, përgjigje morale për botën edhe sot

TIRANË, 26 janar /ATSh-Arbi Fortuzi/ Në një seancë plenare speciale të mbajtur sot në Knesset, parlamentin e Izraelit, me praninë e kryeministrit Edi Rama, lideri i opozitës Yair Lapid u shpreh se në Shqipëri u mbrojt shenjtëria e jetës në emër të miqësisë dhe besës ndaj popullit hebre.

Duke iu referuar ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore, Lapid tha se familja e tij u tradhtua në Austri dhe Hungari, ndërsa hebrenjtë gjetën në Shqipëri një popull që e njihte kuptimin dhe rëndësinë e fjalës “miqësi”. Lapid theksoi se gjatë Luftës së Dytë Botërore Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë që refuzoi t’ua dorëzonte nazistëve hebrenjtë e strehuar në territorin e saj.

“Në Shqipëri ekziston një fjalë që e njeh edhe fëmija: BESA. Ajo do të thotë të mbash fjalën, të jesh një njeri tek i cili mund të mbështetesh. Ne, populli hebre, e dimë se ky koncept mbart një kuptim të thellë dhe i jep përgjigje pyetjes nëse Shqipërisë mund t’i besohet dhe ky besim u testua në orët tona më të errëta”, u shpreh Lapid.

Ai kujtoi se në fillim të Luftës së Dytë Botërore Shqipëria ishte nën pushtimin italian dhe më pas, në vitin 1943 u pushtua nga ushtria naziste, e cila kërkoi listat e hebrenjve që jetonin në vend, një procedurë që, sipas tij, nuk kishte hasur rezistencë në asnjë shtet tjetër europian, përveç Shqipërisë.

“Nazistët e dërguan babain tim në geton e Budapestit me ndihmën e autoriteteve hungareze. Gjyshi im përfundoi në një kamp përqendrimi në Austri me ndihmën e austriakëve. E njëjta gjë ndodhi edhe stërgjyshen time në Poloni, kur ushtria polake e dërgjoi në kampin e tmerrshëm të Holokaustit. Vetëm shqiptarët thanë ‘jo’”, tha Lapid.

Sipas tij, “pasi e gjithë Evropa i kishte dorëzuar hebrenjtë në kampet, shqiptarët thanë: ne do t’i mbrojmë hebrenjtë, pasi dinë të ndajnë të mirën nga e keqja dhe dinë të ndajnë moralin njerëzor nga jomorali, pasi kanë Besën.

Në shumë mënyra, përgjigjet për epokën e re vijnë nga modeli shqiptar i vitit 1943. Bota i tha Shqipërisë se nuk kishte më rregulla dhe se për të mbijetuar duhej t’i dorëzonte hebrenjtë. Shqipëria u përgjigj se, edhe nëse rregullat kishin rënë, ajo kishte rregullat e saj: besimin te shenjtëria e jetës, bindjen se të pafajshmit nuk mund të vriten dhe respektin për miqësinë, pra besën e dhënë”.

Lapid nënvizoi se partneriteti mes Izraelit dhe Shqipërisë bazohet mbi besimin dhe vlerat e përbashkëta njerëzore dhe se ky bashkëpunim mund të thellohet e zgjerohet më tej, duke pasur në themel parimin e Besës.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›