E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq- Kryebashkiaku i Lezhës: Situata e përmbytjeve nën kontroll, qyteti nuk rrezikon falë projekteve të reja

Kreu i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka deklaruar se situata në territorin e bashkisë është normale për momentin dhe nuk ka agravim, pavarësisht reshjeve intensive. Në një lidhje për emisionin “Trialog” në RTSH, ai theksoi se gjendja është shumë më e përmirësuar krahasuar me ditën e djeshme, kur niveli i ujërave kishte arritur kuotat e rrezikut.

Ndreu u ndal tek lagjja “Beslidhja”, e cila mbetet problematike, por ku po zbatohet projekti i disiplinimit të ujërave të bardha dhe të zeza, që sipas tij do të garantojë se qyteti nuk do të përmbytet më. Projekti është aktualisht në fazën 30% të zbatimit, ndërsa përfshin edhe zona të tjera. Ai bëri të ditur se janë hapur 730 km kanale kulluese, duke shmangur situata të pakontrollueshme.

“Situata është normale për  momentin, nuk ka agravim. Është shumë më e përmirësuar në krahasim me dje. Dje shkoi në kuotat e rrezikut. Lagjja “Besëlidhja” është problematike, por është në implementim projekti i disiplinimit të ujërave të bardha dhe ujërave të zeza dhe qyteti nuk do përmbytet më. Projekti është në 30% në qytet sepse është një projekt që zë edhe në zonat e tjera. Por ne kemi hapur 730 km kanale kulluese dhe nuk kemi një situatë që del jashtë kontrollit dhe nuk e menaxhojmë dot. Janë disa zona me prani uji, por përmbytja nuk shkon deri brenda banesave si dikur”, tha Ndreu.

Ai bëri me dije se në Ishull Lezhë janë evakuuar 4-5 familje, ndërsa problematika ka pasur edhe në njësinë Dajç, në zonat e Grashit, Zojsit dhe Pllanës. Sipas Ndreut, më pak se 15% e territorit është nën ujë. Kreu i bashkisë theksoi se masat e gatishmërisë nuk janë ulur, pasi lumenjtë mbeten të fryrë.

“Në Ishull, 4-5 familje janë evakuuar, në disa zona në njësinë Dajç, në zonën e Grashit dhe Zojsit, në Pllanë. As 15% e territorit nuk është nën ujë. Nuk i kemi ulur masat e gatishmërisë, jemi në alert, lumenjtë janë të fryrë”, theksoi ai.

Ndreu ngriti shqetësimin për mungesën e pajisjeve emergjente lokale, duke theksuar nevojën për mbështetje nga emergjencat civile në nivel qendror. Ndreu njoftoi se po zhvillohen projekte për përqendrimin e forcave zjarrfikëse dhe emergjencave në Bushat të Shkodrës, ku do të vendosen kapacitete të shtuara me pompa thithëse të fuqishme, për të ndërhyrë më shpejt në raste kritike.

“Problem është mungesa e pajisjeve emergjente lokale që ne na duhet ta ndajmë situatën me emergjencat civile në qeveri. Po bëhen disa projekte për t’i përqendruar forcat zjarrfikëse dhe forcat e tjera të emergjencave në Bushat të Shkodrës dhe do kenë kapacitete më të shtuara që mund të ndërhyjnë shpejt dhe me pompa shumë të mëdha thithëse. Por duhet t’i kemi më afër këto mjete që në raste të tilla ne mund të ndërhyjmë dhe t’i ezaurojmë shumë shpejt”, tha Ndreu.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›