E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq në Shqipëri, pemë të rrëzuara e vështirësi në qarkullim në gjithë vendin

Stuhia e shiut me erë që përfshiu këtë të shtunë pjesën më të madhe të vendit shkaktoi kaos në lëvizje dhe trafik të rënduar.

Në Tiranë 23 persona të cilët u gjendën në rrugë në momentin kur kryeqyteti u përfshi nga stuhia e fortë pësuan lëndime dhe u dërguan në Sptialin e Traumës. Përveç rrëzimit të pemëve, shumë nga rrugët e kryeqyteti u mbuluan nga uji.

Në Durrës mjaftuan pak minuta reshje shiu që në qytet të pezullohej qarkullimi i automjeteve në rrugë dhe i mjeteve lundruese.

Stuhia e shoqëruar me reshje të dendura ka shkaktuar probleme edhe në qytetin e Lezhës. Përmbytjet preku disa zona kryesore, mes tyre bulevardin “Gjergj Fishta” dhe bllokun e banimit “11 Janari” në lagjen Besëlidhja. Niveli i ujit arriti deri në 30 centimetra dhe bllokoi hyrjet e pallateve dhe duke e bërë të vështirë lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve. Në zonën e Shëngjinit, turistët u larguan për shkak të situates dhe për pasojë u krijua trafik i rënduar.

Në Vlorë nga reshjet intensive qarkullimi u paralizua, ndërsa uji depërtoi në 15 banesa.

Ka pasur ujë në oborret e 15 familjeve.

Rebeshe shiu përfshinë edhe qytetin e Fierit. Siç duket edhe nga pamjet, stuhia rrëzoi shumë pemë në aksin Fier – Cakran, veçanërisht në vendin e quajtur “ Qafa e Shkozës”, duke bllokuar lëvizjen e automjeteve.

E njëjta situatë e ishte edhe në juglindje të vendit, në Pogradec, Maliq e Korçë. Në terren zbarkuan forcat zjarrfikëse për të bërë pastrimin e rrugëve dhe heqjen e pemëve të rrëzuara nga stuhia.

Në Dibër në të gjithë segmentin e Shkopetit pati rënie masive gurësh që rrezikuan drejtuesit e automjeteve.

Shkodra u përfshi gjithashtu nga reshjet e shiut por përveç prezencës së ujit në rrugë nuk u raportuan probleme të tjera.

Autoritetet bënë apel për kujdes maksimal, duke u kërkuar drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve të shmangin lëvizjet në oraret problematike, deri në stabilizimin e kushteve atmosferike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›