Moti i keq në Sukth të Durrësit-Balla: Forcat e ushtrisë dhe emergjencave civile masa për evakuimin e banorëve

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla bashkë me ministren e Brendshme, Albana Koçiu dhe me kryetaren e Bashkisë, Durrës, Emirjana Sako kanë parë nga afër situatën e krijuar nga dalja nga shtrati e lumit Erzen në Sukth.
Sipas Ballës, në terren ndodhen forcat e ushtrisë dhe emergjencave civile, të cilat po marrin masat për evakuimin e banorëve.
“Vadardhë Sukth-Reshjet e shumta, dalja nga shtrati i lumit Erzen dhe derdhjet nga rezervuarët kanë shkaktuar një situatë tepër të vështirë. Forcat e ushtrisë dhe emergjencave civile po marrin masat për evakuimin e banorëve”, shkruan Balla.
Ndërkaq, më herët, ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu së bashku me prefektin, kryetaren e Bashkisë së Durrësit, si dhe drejtues e përfaqësues të emergjencave civile, Policisë së Shtetit e Forcave të Armatosura ishin në Njësinë Sukth i ri, një zonë e prekur orët e fundit nga përmbytja.
Ajo u ka bërë apel banorëve të prekur, t’u përgjigjen autoriteteve për evakuim.
Koçiu tha se të gjitha ekipet e Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura janë në terren për të evokuar banorët, të cilët janë prekur nga përmbytja.
“Jemi në Vadardh në Njësinë Administrative Sukth, ku aktualisht ka filluar plani i evakuimit. Të gjitha ekipet e Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura janë në terren për të evokuar banorët, të cilët janë prekur nga përmbytja. Parashikohen diku tek 500 qytetarë, të cilët do të evakuohen me mjetet e forcave të armatosura. Situata paraqitet e vështirë. Aktualisht janë të dislokuara 6 mjete të forcave të armatosura, mbi 200 punonjës në terren në zonën e Vadardhës dhe po punojmë që të mos kemi asnjë incident”, u shpreh Koçiu.
/rtsh.al/