E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohet Llogaraja, policia e Vlorës ndalon qarkullimin e mjeteve për shkak të dëborës dhe ngricave

Përkeqësimi i kushteve atmosferike gjatë orëve të fundit ka sjellë probleme serioze në qarkullimin rrugor në Jug të vendit. Sipas gazetares së RTSH 24, policia e Vlorës ka njoftuar mesditën e sotme ndalimin e qarkullimit të automjeteve në aksin rrugor që përshkon Qafën e Llogorasë.

Vendimi është marrë për shkak të reshjeve të dendura të dëborës që kanë përfshirë zonën, si dhe formimit të ngricave në trupin e rrugës, të cilat përbëjnë rrezik të lartë për sigurinë e udhëtarëve.

Sipas burimeve zyrtare nga Policia Vendore, masat janë marrë për të parandaluar aksidentet rrugore dhe bllokimin e automjeteve në thellësi të aksit malor.

Efektivët e qarkullimit rrugor janë vendosur në pikat hyrëse të aksit (nga ana e Dukatit dhe nga ana e Palasës) dhe nuk po lejojnë asnjë mjet të vijojë ngjitjen drejt Qafës së Llogorasë.

Autoritetet njoftojnë se ndalimi do të mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë, ose deri sa borëpastrueset dhe mjetet e mirëmbajtjes të kenë bërë të mundur pastrimin e plotë të rrugës dhe kriposjen e saj për të shmangur ngricat.

Policia e Vlorës u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që kishin planifikuar të udhëtonin drejt bregdetit të Jugut apo anasjelltas përmes këtij aksi, të shmangin lëvizjet e panevojshme ose të presin përmirësimin e kushteve atmosferike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›