Moti me reshje, Prefekti Shehu për ATSH-në: Rrëshqitje rruge në Mat, shkëputje të vogla energjie në Dibër

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Qarku i Dibrës është shoqëruar me reshje shiu me intensitet mbi mesatar dhe në lartësi mbi 1200 m ka patur reshje dëbore, por pa sjellë problematika në infrastrukturë.
Prefekti i qarkut të Dibrës, Nexhmedin Shehu tha për ATSH-në se “nga njësitë vendore të Mbrojtjes Civile nuk ka raportime për problematika. Vetëm në bashkinë Mat, si rezultat i reshjeve të shiut ka pasur rrëshqitje të një skarpati rruge në fshatin Frankth të njësisë administrative Komsi duke vështirësuar lëvizjen me mjete, por është ndërhyrë nga bashkia me mjete duke kthyer këtë rrugë rurale funksionale”.
Sipas tij, rrugët nacionale dhe rurale janë të kalueshme pa probleme.
Furnizimi me energjinë elektrike përveç se ka patur shkëputje të pakta në Dibër dhe në Mat, ka qenë normal.
Prefekti Shehu u shpreh se “furnizimi me ujë të pijshëm është normal”.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile informoi ka informuat se gjatë ditëve në vijim në veri të vendit do të ketë mot me reshje të dendura shiu. Sipas AKMC-së bazuar në informacionin e dërguar nga Qendra e Koordinimit të Emergjencave Civile në Bruksel, Instituti i Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, të premten, më 22 nëntor, priten reshje “intensive” deri “shumë intensive” në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Tiranë dhe Elbasan.
/k.s/j.p/