Mundësia e rishikimit të hartës gjyqësore, ekspertët japin versionet e tyre. Partnerët ndërkombëtarë mbështesin Shqipërinë

Stoku i dosjeve në gjykata, të cilat presin trajtimin, ka arritur në më shumë se 150 mijë çështje në pritje ndërsa prej ditësh po diskutohet hartimi dhe miratimi i një harte të re gjyqësore.
Ekspertët e fushës japin edhe versione sesi harta e re mund të rrisë cilësinë e shërbimit për qytetarët.
“Kjo hartë sot na sjell në një fazë të dytë të reformës në drejtësi, ku të gjitha ndryshimet që pritet të vijnë me Kodin e ri Penal dhe me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale të shikohen të plota, integrale dhe jo të copëzuara”, tha Tabaku.
“Lidhur me mundësinë e rishikimit, mendoj që duhen mbajtur në konsideratë të gjitha standardet e Komisionit Europian për Efiçencën në Drejtësi të Këshillit të Europës, që lidhen me ngarkesën, aksesin, performancën, automatizimin dhe kriminalitetin në zona të caktuara”, tha ekspertja.
“Çdo rishikim i ardhshëm i hartës gjyqësore duhet të mbështetet në treguesit e prokurorisë, ku në mënyrë të veçantë duhet të mbahen në konsideratë ngarkesa për prokuror faktik, backlog-u, kohëzgjatja mesatare e verifikimeve dhe procedimeve, si dhe kapacitetet infrastrukturore dhe ndikimi territorial mbi aksesin në drejtësi”, tha ekspertja.
“Tre janë shtyllat kryesore të nevojës: infrastruktura fizike, infrastruktura ligjore, infrastruktura teknologjike dhe infrastruktura e burimeve njerëzore. Gjithashtu, u përmend edhe nevoja për forcimin e tyre. Piku i sistemit në lidhje me çështjet ende të pagjykuara pritet të jetë në vitin 2027“, tha eksperti.
Ndërsa partnerët ndërkombëtar, vijojnë që të mbështesin Shqipërinë, pasi drejtësia është rruga drejt BE.
“Sistemi gjyqësor duhet të jetë efikas dhe i aksesueshëm”.
“Reforma në drejtësi për ne është dhe do të vijojë të mbetet themeli i rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Çështja e stokut të dosjeve ka arritur në nivele alarmante dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme, si edhe zgjidhje të qëndrueshme”, tha Gonzato.
Këto deklarata u bënë gjatë një takimi të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ku u sollën edhe të dhëna mbi situatën në institucionet e drejtësisë.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/