Musabelliu: Paketa rajonale turistike me më pak procedura dhe barrë administrative

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Zv.ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, e cilësoi sot ratifikimin e vendimit të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, “Për lehtësimin e tregtisë së shërbimeve të ofruara nga agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë” një lajm pozitiv për turizmin dhe industrinë e turizmit në Shqipëri”.
Në fjalën e tij në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën ku po shqyrtohet ky pr/ligj, Musabelliu tha se “duke qenë se tashmë Shqipëria është bërë nga një vendet dhe portë hyrëse në Ballkan me aeroportin tonë që është edhe aeroporti më i madh në Ballkan tashmë.
“Më këtë vendim lehtësohet puna e agjencive turistike shqiptare dhe tur operatorëve për të ofruar paketa rajonale dhe për të bërë të mundur që turistët që vijnë në Shqipëri të mund të udhëtojnë përmes agjencive tona dhe tur operatorëve në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, që janë pjesë e CEFTA-s me më pak procedura dhe barrë administrative për sa i përket ofrimit të shërbimeve përtej kufijve”, tha Musabelliu.
Sipas tij, ky pr/ligj vjen në kuadër dhe në zbatim të planit të veprimit për krijimin e tregut të përbashkët rajonal, i cili është edhe një nga elementet kryesore të procesit të Berlinit.
“Ky vendim synon krijimin e një kuadri të përbashkët rregullator për lehtësimin e tregtisë së shërbimeve turistike ndërmjet vendeve që janë palë të CEFTA-s duke bërë të mundur eliminimin e barrierave të panevojshme administrative dhe harmonizimin e procedurave të licensimit dhe ofrimit të shërbimeve nga agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë”, sqaroi Musabelliu.
Zv/ministri Musabelliu tha se “me këtë vendim bizneset e lidhura me udhëtimet do të mund të veprojnë më lirshëm në tregun e vendeve të CEFTA-s pa pasur nevojën e autorizimeve shtesë për secilin territor ku ato ofrojnë shërbime. Pra nëse një kompani e licensuar në Shqipëri në përputhje me legjislacionin shqiptar për të vepruar dhe ofruar shërbime në një nga vendet e tjera të CEFTA-s nuk do të ketë nevojë për të pasur prezencë apo licensuar atje do të njihet licencimi dhe prezenca në territorin shqiptar”.
Zv/kryetari i Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Dasporës, Erion Malaj tha se “ky pr/ligj krijon një kornizë shumë të qartë dhe moderne për lehtësimin e tregitsë së shërbimeve turistike duke i dhënë sektorit të turizmit një dimension më konkurrues edhe rajonal. Përmes sigurisht ratifikimit të vendimit të CEFTA-s ky pr/ligj redukton edhe barrierat administrative siguron një trajtim të barabartë dhe mosdikriminues”.
“Mendoj që është një pr/ligj mëse i nevojshëm dhe shumë i rëndësishëm të cilin ne e kemi parë dhe absolutisht gjykojmë që për rëndësinë që ka do të ketë mbështetjen e mazhorancës”, tha Malaj.
Pas diskutimeve Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën miratoi projektligjin “Për ratifikimin e vendimit nr. 6/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore “Për lehtësimin e tregtisë së shërbimeve të ofruara nga agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë”.
Ky projektligji është pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të Marrëveshjes së CEFTA-s dhe zhvillimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, të modeluar sipas parimeve të Bashkimit Evropian.
/k.s/a.f/