E Hënë, 2 Nëntor 2026

Malaj: Rreth 30 miliardë lekë rialokime në Buxhetin 2025 pa ndryshuar deficitin

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj prezantoi sot në Komisionin e Ligjeve, Aktin Normativ nr. 11, që parashikon disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për buxhetin e vitit 2025”, duke theksuar se ndërhyrjet synojnë mbështetjen sociale, rritjen e efikasitetit të shpenzimeve publike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale.

Në fjalën e tij, ministri Malaj u shpreh se akti normativ është hartuar si domosdoshmëri për të reflektuar ndryshimet e nevojshme në Buxhetin 2025, duke përmbushur kriteret e nevojës, urgjencës dhe përkohshmërisë, si dhe duke respektuar kufijtë e fuqisë ligjore dhe kërkesën për miratim nga Kuvendi.

Sipas tij, përmes këtij akti synohet mbështetja e shtresave më në nevojë, përfshirë familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre, si dhe garantimi i fondeve shtesë për skemën e pensioneve. Një nga masat kryesore është transferimi i fondeve të papërdorura nga institucionet buxhetore në llogarinë e posaçme të mbështetjes së pensionistëve pranë Bankës së Shqipërisë.

Ministri Malaj bëri gjithashtu një panoramë të treguesve makroekonomikë dhe fiskalë, duke theksuar se rritja ekonomike për vitin 2025 parashikohet në nivelin 3,9%, ndërsa borxhi publik pritet të zbresë nën 54% të PBB-së, niveli më i ulët që prej vitit 2010. Të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vitin 2025 janë realizuar në masën 99,6% të planit, duke reflektuar stabilitetin e financave publike.

Nëpërmjet aktit normativ, qeveria synon të mbajë të pandryshuar totalin e të ardhurave buxhetore dhe deficitin për vitin 2025, në nivelin 61,6 miliardë lekë, ndërsa parashikon rishpërndarjen e rreth 30 miliardë lekëve kursime drejt programeve me performancë më të lartë.

Në zërin e shpenzimeve korente, parashikohet dhënia e bonusit të fundvitit prej 15 mijë lekësh për rreth 148 500 përfitues nga shtresat vulnerabël, si dhe financim shtesë për fermerët në masën 2 miliardë lekë, duke e çuar mbështetjen totale për ta në 6,4 miliardë lekë për vitin 2025. Gjithashtu, janë alokuar fonde shtesë për shëndetësinë, rendin dhe sigurinë, aktivitetet sportive, si dhe për mbulimin e detyrimeve të prapambetura të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Në fjalën e tij, ministri theksoi se akti normativ ruan ekuilibrat fiskalë, ka efekt neutral në deficitin buxhetor dhe synon një mbyllje optimale të vitit buxhetor 2025, duke garantuar vijimësinë e konsolidimit fiskal dhe stabilitetin makroekonomik të vendit.

“Akti Normativ nuk është thjesht një instrument teknik, por një akt përgjegjshmërie politike dhe qeverisëse, që synon menaxhimin e buxhetit me realizëm, përgjegjësi dhe ndjeshmëri sociale”, përfundoi ministri Malaj.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›