Musk kundër BE-së: Duhet të shkrihet, të kthehet sovraniteti i shteteve

Miliarderi Elon Musk ka sulmuar publikisht Bashkimin Europian, duke deklaruar se BE-ja duhet të shfuqizohet dhe sovraniteti të rikthehet te shtetet e veçanta.
Ky mesazh i tij erdhi një ditë pas publikimit nga Shtëpia e Bardhë të “Strategjisë së Sigurisë Kombëtare”, një dokument rreth tridhjetë faqe, i cili shpjegon qasjen e re të SHBA-së ndaj Europës.
Në pjesën e dokumentit të titulluar “Promovimi i Madhështisë Europiane”, theksohet lidhja jetike dhe strategjike mes SHBA-së dhe Europës, por gjithashtu evidentohet edhe rënia ekonomike e kontinentit. Për shembull, në vitin 1990, Prodhimi i Përgjithshëm Bruto (GDP) europian në raport me botën ishte 25%, ndërsa sot ka rënë në 14%, duke treguar një ngecje të dukshme ekonomike.
Sipas analizës së ekspertëve amerikanë, problemi që Trump dhe aleatët e tij shohin, nuk është vetëm ekonomik. Shumë më shqetësues është “rreziku i zhdukjes së qytetërimit” në Europë.
Mes kërcënimeve kryesore, përmenden aktivitetet e Bashkimit Europian dhe organizatave të tjera transnacionale që minojnë lirinë dhe sovranitetin politik, politikat e migracionit që po transformojnë kontinentin dhe krijojnë konflikte, censura e lirisë së fjalës dhe shtypja e opozitës politike, rënia e natalitetit dhe humbja e identitetit kombëtar dhe të besimit në vetvete.
Strategët amerikanë paralajmërojnë se, nëse ky trend vazhdon, Europa mund të humbasë identitetin e saj, brenda 20 vitesh ose më pak.
Sipas Trump, qëllimi është që Europa të mbetet europiane, të rikthejë vetëdijen për qytetërimin e saj dhe të lërë pas “fokusin dështak mbi mbikëqyrjen e rregulloreve”.
Si recetë për të ndryshuar këtë trajektore, SHBA-ja ofron ndihmë për Europën, që të konkurrojë më sukses dhe të parandalojnë së bashku rritjen e rivalëve globalë, që mund të dominojnë botën.
Ky qëndrim i Musk, duke u mbështetur në linjën e Trump, thekson një vizion ku sovraniteti kombëtar dhe identiteti i shteteve europiane konsiderohen thelbësor për të ruajtur stabilitetin dhe fuqinë ekonomike e kulturore të Europës në dekadat e ardhshme.
Kujtojmë se, platforma X, dikur Twitter, në pronësi të Musk, është gjobitur me 120 milionë euro nga Bashkimi Europian, pasi hetimet zbuluan shkelje të rënda që kanë lënë përdoruesit të pambrojtur ndaj mashtrimeve dhe manipulimeve online.