Muzeu kombëtar i artit mesjetar, destinacioni i preferuar i turistëve në Korçë

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë vijon të mbetet një nga atraksionet kulturore më të vizituara në vend, duke tërhequr gjatë gjithë vitit një numër të lartë turistësh vendas dhe të huaj. Nga janari e deri në qershor këtë muze e kanë vizituar rreth 16 mijë turistë, ku pjesa më e madhe kanë qenë të huaj. Vizitorët zgjedhin të njihen nga afër me një prej koleksioneve më të pasura të artit ikonografik bizantin dhe pasbizantin në Shqipëri, duke e kthyer muzeun në një ndalesë të domosdoshme gjatë qëndrimit në qytetin e Korçës.
“Vizitorët janë të shumtë me një numër relativisht më të madh nga Franca kryesisht, por ka edhe nga Italia, nga Gjermania, nga Spanja ka shumë vizitorë. Shumë kërkojnë të vijnë enkas për të vizituar muzeun e artit mesjetar dhe të njohin trashëgiminë tonë kulturore dhe koleksionin e pasur që ne kemi”, deklaroi Fjoralba Prifti, Drejtore e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar.
Anastasia është një vizitore nga Ukraina e cila ka zgjedhur që të njihet me koleksionin e rrallë të ikonave që mbart muzeu. Ajo ka ardhur sëbashku me bashkëshortin e saj turk Aytek i cili tregon se është shumë i interesuar për Shqipërinë për shkak se stergjyshërit e tij kanë qenë nga Korça.
“Unë jam Anastasia dhe vij nga Ukraina. Është hera e parë që vijmë në Shqipëri. Është një vend shumë, shumë i bukur. Muzeu është shumë i bukur, me një histori të pasur dhe mjaft interesante. Na pëlqen shumë të vizitojmë muzetë”, deklaroi Anastasia Kuccukbukucu.
“Për herë të parë jemi në Shqipëri. Na pëlqeu shumë qyteti i Korçës, qyteti i stërgjyshit tim, gjyshi i babait tim ka lindur në Korçë”, tha Aytek Kuccukbukucu.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar administron mbi 8 mijë objekte të trashëgimisë kulturore, mes tyre mijëra ikona të krijuara nga shekulli XIII deri në shekullin XX, si dhe objekte liturgjike me vlera të rralla historike e artistike. Fluksi i vizitorëve rritet veçanërisht gjatë sezonit turistik, ku grupet e organizuara dhe turistët individualë nga vende të ndryshme të botës vizitojnë muzeun për të njohur nga afër historinë dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.
/RTSH/