Muzika e Paganinit vjen në TKOB, violinisti i njohur Giuseppe Gibboni para publikut me “La Campanella”

Giuseppe Gibboni, një nga violinistët më të njohur të skenës ndërkombëtare muzikore dhe fitues i çmimit prestigjioz Paganini, do të ngjitet sonte në mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, në një koncert që, siç shprehet vetë artisti, njihet nga të gjithë për tingullin e tij të mrekullueshëm dhe për vështirësinë teknike që kërkon mjeshtëri të rrallë.
“Po, do të luajmë koncertin numër 2 të Paganinit. Është shumë i famshëm sepse quhet La Campanella, dhe mendoj se të gjithë e njohin atë temë. Është një nga veprat më të njohura të Paganinit. Ai ishte një virtuoz i madh që e ndryshoi përgjithmonë teknikën e violinës. Është gjithmonë e vështirë ta luash Paganinin, kërkon teknikë, por edhe shpirt. Është shumë e vështirë të lejosh që muzika e tij të ngrihet mbi “lulet” e teknikës. Por ne do të përpiqemi të japim më të mirën tonë”, tha Gibboni.
Koncerti do të zhvillohet nën drejtimin e dirigjentit spanjoll Sergio Alapont, ndërsa në skenë do të bashkohen Orkestra Simfonike e TKOBAP-së dhe Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura.
Artistët po përgatiten aktualisht për koncertin, ndërsa Gibboni ndan emocionet e para të ardhjes në vendin tonë.
“Do të udhëtojmë më pas për në Bolonjë për një tjetër festival, ku do të kem debutimin tim. Por jam shumë i lumtur që jam sot në Tiranë. Kjo është dita ime e parë këtu, dhe mezi pres të njoh bukuritë e këtij vendi. Kam pasur edhe një takim të shkurtër me Maestro Alapont, dhe mezi pres të punoj me të dhe me të gjithë orkestrën”, tha Gibboni.
Mbrëmja e 9 tetorit do të nisë me një udhëtim muzikor në rrënjët e shpirtit të gjeniut të kompozicionit Rimsky Korsakov. Një vepër që shpalos thelbin e muzikës romantike, ku çdo notë tingëllon si një kujtim i tokës, i traditës dhe i shpirtit të një kombi./vizionplus.tv