Muzikë mbi normat e lejuara, gjobitet administratori i subjektit në Dhërmi

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Prishi qetësinë publike duke vënë muzikë mbi normat e lejuara, në një beach bar në Dhërmi, gjobitet me 200 000 lekë administratori i subjektit.
Në kuadër të masave të shtuara për ruajtjen e qetësisë publike dhe për mbrojtjen nga ndotja akustike në zonat turistike, strukturat e DVP Vlorë kanë intensifikuar në gjithë qarkun, monitorimet në subjektet që zhvillojnë veprimtari me muzikë të lartë. Shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi, gjatë kontrollit të ushtruar dje në një beach bar, në Dhërmi, konstatuan se niveli i muzikës i tejkalonte kufijtë e lejuar me ligj. Në përfundim, ndaj administratorit të këtij subjekti, shtetasit E. P., u vendos masë administrative me vlerë 200 000 lekë. Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë i bën thirrje të gjithë personave fizikë dhe juridikë që të respektojnë nivelin dhe orarin e lejuar për muzikën që gjenerojnë nga aktivitetet në subjektet e tyre. 1 nga 3