SPANJˠ– Dhjetëra të mitur kalojnë me not nga Maroku drejt Ceutës

MADRID, 27 korrik /ATSH-DPA/ – Pesëdhjetë e katër të mitur, kryesisht marokenë, kanë kaluar me not nga Maroku drejt Ceutës, enklavë spanjolle në Afrikën e Veriut, raportoi televizioni shtetëror spanjoll RTVE.
Sipas raportit, ekipet e shpëtimit kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë natës dhe ditës në vijim për t’i shpëtuar ata, të cilët kaluan distancën nga 300 deri në 500 metra në detin që ndan Marokun nga Ceuta.
Pamjet televizive treguan disa nga migrantët duke u sjellë në breg me një varkë.
Fillimisht nuk është raportuar për viktima.
Ndërsa të rriturit zakonisht riatdhesohen menjëherë, të miturit e pashoqëruar lejohen të qëndrojnë të paktën deri në moshën 18-vjeçare.
Megjithatë, kapacitetet pritëse janë të mbingarkuara dhe qeveria rajonale i ka kërkuar qeverisë qendrore në Madrid të transferojë të rinjtë në Spanjën kontinentale.
Migrantët përpiqen vazhdimisht të arrijnë në njërën nga dy enklavat spanjolle në Afrikën e Veriut nga Maroku, duke rrezikuar jetën për një jetë më të mirë dhe për t’i shpëtuar konflikteve apo varfërisë në vendet e tyre.
Sipas UNHCR -së, këtë vit kanë mbërritur në Spanjë gati 20 000 migrantë, përfshirë 1 500 që kanë arritur në Ceuta./ /Ad.Ab./