NIGER – Të paktën 57 pjesëtarë të forcave të sigurisë vriten në sulmet e ISIS-it

NIAMEI, 25 shtator /ATSH-DPA/- Të paktën 57 pjesëtarë të forcave të sigurisë u vranë të mërkurën në dy sulme, të kryera nga një degë e grupit terrorist Shteti Islamik (ISIS) në Niger, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes së Nigerit.
Sipas ministrisë, 38 ushtarë u vranë në sulmin e parë kundër bazës ushtarake “Dabagu”, në rajonin Tahoua.
Zona ku ndodhi sulmi ndodhet rreth 450 kilometra nga kryeqyteti Niamei, pranë kufirit me Malin.
Disa ushtarë vazhdojnë të jenë të zhdukur dhe nuk dihet ende ku ndodhen.
Në një sulm tjetër, po të mërkurën, në zonën Abala-Filingue, rreth 250 kilometra nga Niamei, u vranë 19 pjesëtarë të xhandarmërisë.
Që prej marrjes së pushtetit përmes grushtit të shtetit në vitin 2023, junta ushtarake e Nigerit, ka pasur vështirësi në ndalimin e konfliktit të gjatë me grupet e armatosura islamiste.
Sipas raportimeve, brenda ushtrisë po rritet edhe pakënaqësia për numrin e madh të viktimave në luftimet kundër këtyre grupeve.
Kjo pakënaqësi çoi në një përpjekje për rebelim brenda ushtrisë në gusht, por junta ushtarake e shtypi atë pas disa orësh. //a.i/