E Hënë, 2 Nëntor 2026

NJU DELHI – India e gatshme të importojë më shumë naftë dhe gaz nga SHBA-ja

NJU DELHI, 16 tetor /ATSH-DPA/- India është e përgatitur të importojë më shumë naftë dhe gaz nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha sot zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Randhir Jaiswal në Nju Delhi.

“Përsa i përket SHBA-së, ne kemi kërkuar për shumë vite të zgjerojmë prokurimin tonë të naftës dhe gazit. Kjo ka përparuar vazhdimisht në dekadën e fundit. Administrata aktuale ka treguar interes për thellimin e bashkëpunimit energjetik me Indinë”, tha Jaiswal, duke shtuar se diskutimet ishin në vazhdim e sipër.

Jaiswal nuk iu drejtua drejtpërdrejt deklaratës së presidentit Donald Trump – i cili tha se kryeministri, Narendra Modi e kishte siguruar se India do të ndalonte blerjen e naftës nga Rusia.

Më herët, Trump kritikoi blerjet e naftës ruse nga India, dhe SHBA-ja vendosi tarifa ndëshkuese në gusht – në një përpjekje për të kufizuar të ardhurat e Moskës dhe aftësinë e saj për të vazhduar luftën në Ukrainë.

Nju Delhi i ka quajtur si të padrejta tarifat e SHBA-së dhe Jaiswal tha se sigurimi i çmimeve të qëndrueshme të gazit dhe furnizimeve të sigurta kishin qenë qëllimet kryesore të politikës së qverisë.

“Kjo përfshin zgjerimin e furnizimit tonë të naftës dhe gazit dhe diversifikimin sipas nevojës për të përmbushur kushtet e tregut”, tha ai.

Sekretari i Tregtisë i Indisë, Rajesh Agrawal, tha se India ishte e lumtur që mund të importonte më shumë naftë dhe gaz nga SHBA-ja, me kusht që çmimi të ishte i drejtë.

“Një delegacion indian ndodhet aktualisht në SHBA për të diskutuar çështjet tregtare”, shtoi ai. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›