NJU JORK – OKB: Numri i viktimave civile në Ukrainë në nivelin më të lartë në tre vjet

NJU JORK, 10 korrik /ATSH-DPA/ – Numri i civilëve ukrainas të vrarë ose të plagosur nga sulmet ruse arriti nivelin më të lartë gjatë muajit qershor – krahasuar me tre vitet e fundit, sipas një raporti të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Misioni i Monitorimit të të Drejtave të Njeriut i OKB-së në Ukrainë bëri të ditur se gjatë muajit të kaluar u vranë 232 civilë dhe u plagosën 1 343 të tjerë.
Hera e fundit që numri i viktimave ishte më i lartë ka qenë në maj të vitit 2022, menjëherë pas fillimit të luftës.
Numri i të vrarëve gjatë qershorit ishte gjithashtu më i larti në gati një vit.
Më shumë se gjysma e viktimave civile ishin në zona larg vijës së frontit, kryesisht si pasojë e sulmeve me raketa dhe dronë në thellësi të territorit të kontrolluar nga Ukraina, thuhet në raport. /Ad.Ab./ /a.i/