E Hënë, 2 Nëntor 2026

NJU JORK – Rubio i kërkon Rusisë t’i japë fund luftës në Ukrainë

NJU JORK, 25 shtator /ATSH-DPA/ –  Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i bëri thirrje Rusisë të ndalojë gjakderdhjen në Ukrainë gjatë një takimi me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, mbrëmë, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, Rubio “përsëriti thirrjen e presidentit Donald Trump për të ndalur vrasjet dhe për nevojën që Moska të ndërmarrë hapa domethënës drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme të konfliktit Rusi–Ukrainë”.

Nga ana e tij, Lavrov theksoi gatishmërinë e Rusisë për të zgjidhur konfliktin dhe kujtoi marrëveshjen mes presidentit Vladimir Putin dhe Trump në samitin e tyre në Alaskë, sipas së cilës shkaqet rrënjësore të luftës  së pari duhen adresuar .

Ai akuzoi sërish Ukrainën dhe Bashkimin Evropian për zgjatjen e konfliktit.

Rubio dhe Lavrov ranë dakord të vazhdojnë “dialogun konstruktiv” mes dy vendeve.

Sipas burimeve ruse, ata diskutuan një gamë të gjerë çështjesh dypalëshe, përfshirë rifillimin e kontakteve socio-politike dhe rikthimin e funksionimit të misioneve diplomatike të tyre.

Të dy palët nënvizuan rëndësinë e ndërtimit mbi nxitjen e dhënë nga presidentët dhe normalizimin e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Rusisë.

Ky takim u zhvillua në një kontekst ndërkombëtar të tensionuar, ndërsa konflikti në Ukrainë vazhdon të shkaktojë viktima dhe dëme të mëdha infrastrukturore. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›