PARIS – Ish-presidenti francez, Sarkozy dënohet me pesë vjet burg

PARIS, 25 shtator /ATSH/- Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, është dënuar me pesë vjet burgim, pasi u shpall fajtor për disa akuza për korrupsion në çështjen e fondeve të fushatës nga Libia, sipas “Reuters”.
Një gjykatë në Paris shpalli sot ish-presidentin francez Nicolas Sarkozy fajtor për konspiracion kriminal në një gjyq – në të cilin ai u akuzua për marrjen e miliona eurove në financim të paligjshëm nga diktatori i ndjerë libian Muammar Gaddafi për kandidaturën e tij të suksesshme presidenciale në vitin 2007.
Megjithatë, Sarkozi u lirua nga të gjitha akuzat e tjera, duke përfshirë korrupsionin pasiv dhe financimin e paligjshëm të fushatës.
Sarkozi, i cili gjithmonë i ka mohuar akuzat, u akuzua se ka bërë marrëveshje me Gaddafi -in në vitin 2005, kur ai ishte ministër i Brendshëm i Francës – për të marrë financim për fushatën – në këmbim të mbështetjes së qeverisë libiane të atëhershme të izoluar në skenën ndërkombëtare.
Sarkozy, 70 vjeç, ka qënë në gjyq që nga janari me akuzat për “fshehje të përvetësimit të fondeve publike, korrupsion pasiv, financim të paligjshëm të fushatës dhe konspiracion kriminal me qëllim kryerjen e një krimi”.
Hetuesit pretenduan se ai kishte bërë një pakt korruptiv me qeverinë libiane. Në shqyrtim është një çështje e errët që dyshohet se përfshin spiunë libianë, një terrorist të dënuar, tregtarë armësh dhe akuza se Gaddafi i siguroi fushatës së Sarkozy miliona euro të dërguara në Paris në valixhe.
Sarkozy tha se çështja ishte e motivuar politikisht.
Pavarësisht problemeve të vazhdueshme ligjore dhe heqjes së Legjionit të Nderit, dekoratës më të lartë të Francës, në qershor, Sarkozy mbetet një figurë me ndikim në skenën politike franceze. //a.i/