NJU JORK – SHBA drejtuar OKB-së: Trump kërkon marrëveshje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë deri më 8 gusht

NJU JORK, 31 korrik /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka bërë të qartë se kërkon një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë deri më 8 gusht, tha sot diplomati i lartë amerikan, John Kelley duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, sipas “Reuters”.
“Si Rusia ashtu edhe Ukraina duhet të negociojnë për një armëpushim dhe një paqe të qëndrueshme. Është koha për të bërë një marrëveshje. Presidenti Trump e ka bërë të qartë se kjo duhet të arrihet deri më 8 gusht. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përgatitura të zbatojnë masa shtesë për të siguruar paqen”, i tha diplomati i lartë Kelley, këshillit prej 15 anëtarësh.
Ky veprim përputhet me premtimin e fushatës së Trump për të zgjidhur shpejt konfliktin në Ukrainë pas marrjes së detyrës në janar 2025.
Fillimisht, Trump kritikoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe pezulloi furnizimet me armë të SHBA-së.
Megjithatë, më vonë ai ndryshoi mendje, dhe rifilloi ndihmën dhe kërcënoi Rusinë me sanksione të ashpra nëse nuk arrihej një marrëveshje.
Këtë javë, Trump tha se po e shkurtonte afatin 50-ditor – që i dha Rusisë për të negociuar një marrëveshje paqeje me Ukrainën – në “10 ose 12” ditë, duke theksuar zhgënjimin e tij me presidentin rus Vladimir Putin për shkak të luftimeve të zgjatura midis dy vendeve.
Zyrtarët ukrainas, përfshirë shefin e stafit të Zelensky, Andriy Yermak, mirëpritën qëndrimin e Trump të hënën – duke theksuar se “Putini kupton vetëm forcën”. //a.i/