Projekt për rivitalizimin e Pallatit të Kongreseve, kalon në pronësi të MEKI

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Pallati i Kongreseve në Tiranë ka kaluar në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ndërsa pritet zbatimi i projektit të investimit për rivitalizimin e godinës.
Këshilli i Ministrave miratoi sot ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Bashkia Tiranë te Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të pasurisë me numër 7/74, në zonën kadastrale 8160, Tiranë, sipas planit të rilevimit, në funksion të realizimit të projektit të investimit “Rivitalizimi i Pallatit të Kongreseve”.
Pas këtij vendimi, kjo pronë do t’i hiqet listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të Bashkisë Tiranë.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Vendimi për kalimin e pronësisë së Pallatit të Kongreseve u miratua në 24 korrik edhe nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.
Kryetarja në detyrë e Bashkisë, Anuela Ristani, shpjegoi se me kalimin e viteve dhe pavarësisht mirëmbajtjes e kujdesit të vazhdueshëm, Pallati i Kongreseve ka paraqitur shenja amortizimi e degradimi.
“Vendimi synon të shndërrojë Pallatin e Kongreseve në një qendër multifunksionale për konferenca, evente kulturore”, shtoi ajo. /m.m/ j.p/