E Hënë, 2 Nëntor 2026

NJU JORK – SHBA vë veton ndaj kërkesës së OKB-së për armëpushim dhe akses të ndihmës në Gazë

NJU JORK, 18 shtator /ATSH-DPA/- SHBA-ja i ka vënë sërish veton një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi luftën në Gaza.

Uashingtoni ishte i vetmi vend që votoi kundër mocionit, i cili mori 14 vota pro – përfshirë Rusinë, Kinën, Britaninë e Madhe, Francën dhe 10 anëtarët jo të përhershëm.

Dokumenti shpreh shqetësim të thellë për krizën e urisë në Gazë dhe kërkon që qeveria izraelite – të heqë menjëherë dhe pa kushte të gjitha kufizimet për hyrjen e ndihmës humanitare në Gazë – dhe të sigurojë shpërndarjen e saj të sigurt dhe të papenguar tek popullsia.

Sipas Kombeve të Bashkuara, ky ishte takimi i 10,000-të i Këshillit të Sigurimit në vitin e 80-të të ekzistencës së tij.

Përfaqësuesja e SHBA-së ne OKB, Morgan Ortagus e justifikoi veton me arsyetimin se rezoluta “e papranueshme” mbështeste grupin militant palestinez “Hamas”.

Uashingtoni është aleati më i ngushtë i Izraelit dhe administrata Trump ka qëndruar e palëkundur pranë shtetit hebre – pavarësisht kritikave në rritje për luftën në Rripin e Gazës.

Rezoluta hedh poshtë gjithashtu, çdo përpjekje për ndryshim demografik ose territorial në Rripin e Gazës – dhe bën thirrje për një armëpushim pa kushte dhe lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe grupe të tjera.

Presioni mbi Izraelin është rritur kohët e fundit dhe ka të ngjarë të rritet më tej përpara takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork javën e ardhshme.

Të hënën, një numër vendesh – përfshirë Francën – do të njohin shtetin palestinez në një konferencë mbi zgjidhjen me dy shtete. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›