“Na akuzojnë se populli nuk ka ujë e bukë”, Rama nga Shkodra: Shqipëria në 2013 ishte në prag kolapsi, sot në tryezën e BE për negociatat

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi elektoral me qytetarët në Shkodër, ka bërë një bilanc të situatës në të cilën ndodhej vendi në vitin 2013, duke e krahasuar me një kolaps të mundshëm të dytë, të ngjashëm me skemën famëkeqe të piramidave të viteve ’90.
Rama deklaroi se qeveria që drejtonte në atë kohë kishte trashëguar një borxh të madh të fshehur ndaj kompanive private, i cili kishte paralizuar funksionimin e shtetit.
“Borxhi i fshehur kishte bllokuar qeverinë. Shqipëria në 2013 ishte në prag të një kolapsi të dytë. Populli e ka shpëtuar vendin në fije të perit,” u shpreh Kryeministri.
Ai shtoi se asnjë rrugë nuk ishte përfunduar, shkollat nuk kishin materiale bazë si shkumësa, ndërsa invalidët nuk kishin marrë asnjë pagesë për muaj me radhë. “40 milionë euro i kishte shteti borxh invalidëve që protestonin me karroca e paterica, dhe u binin në dru,” kujtoi Rama.
Duke iu referuar procesit të negociatave me Bashkimin Evropian, Rama theksoi se ky është një proces teknik dhe jo politik, që matet me rezultate konkrete dhe jo me retorikë politike.
“Nëse Shqipëria do të ishte 25% siç e përshkruajnë kundërshtarët tanë, nuk do ishim as afër tryezës së negociatave me BE-në,” tha ai.
Rama vuri në dukje se negociatat kërkojnë përgatitje serioze dhe përfshijnë mbi 250 mijë faqe dokumentacion, të përpunuar nga rreth 1000 punonjës të administratës shqiptare, të angazhuar në 40 grupe pune sektoriale.
Duke ironizuar akuzat e opozitës për “narko-shtet”, Kryeministri tha: “Si mund të negociojë BE me një vend që s’ka ujë e drita? Apo me një ‘narko-shtet’? Nuk funksionon kështu.”
Kryeministri rrëfeu se shtysa për të ndërmarrë këtë cikël takimesh llogaridhënëse i erdhi pasi pa sondazhin e një analisti të lidhur me ish-presidentin amerikan Donald Trump, që për të pasqyronte një keqkuptim të realitetit.
“Thonë njerëzit nuk kanë ujë, nuk janë rritur pagat, por njerëzit e dinë ndryshimin. Sa rrugë janë bërë në një dekadë nuk janë bërë në të gjitha vitet së bashku,” theksoi ai.
/vizionplus.tv