Nafta, Rama: Heqja e taksës së qarkullimit do ulte çmimin, por do t’i detyronte drejtuesit e automjeteve të paguajnë 4-fish më shumë

Kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një konference për shtyp në Asamblenë e Njësisë nr.7 në Tiranë, theksoi rëndësinë e nisjes së një procesi të gjerë bashkëbisedimi brenda strukturave të partisë dhe me mbështetësit në të gjithë vendin.
Rama u shpreh se ky është një moment kyç për të filluar përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore, të cilat pritet të mbahen pas rreth 14-15 muajsh. Ai nënvizoi se Partia Socialiste ka avantazhin e nisjes së hershme të organizimit, duke u shprehur i bindur për një tjetër fitore.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu përgjegjësinë e mazhorancës për të qeverisur vendin dhe për të trajtuar të gjitha aspektet e jetës së qytetarëve, duke kujtuar besimin e dhënë nga shumica e shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit.
“Është e nevojshme që të bëjmë një proces bashkëbisedimi në radhë të parë të brenda nesh dhe pastaj paralelisht të krijojmë kushtet që të bashkëbisedojmë edhe me mbështetësit tanë në çdo komunitet, në çdo qendër votimi, çdo njësi. Ka shumë gjëra të rëndësishme për të folur ka të bëjë jo vetëm me në si parti por edhe me forcën tonë udhëheqëse për interesat e vendit dhe nga ana tjetër është një moment shumë i rëndësishëm për faktin se jemi tamam në kohë për të filluar të mbjellim rezultatin që do korrim në zgjedhjet e ardhshme vendore të cilat janë pas 14-15 muajsh. Jam i bindur se ne jemi fitues për një arsye tjetër që dhe është arsye që na mbledh sot i fillojmë gjithmonë përgatitjet shumë përpara të tjerëve, nuk harrojmë që detyra jonë është të qeverisim Shqipërinë dhe të trajtojmë të gjitha aspektet e jetës së vendit për të cilat kemi marrë besimin e një shumice dërrmuese shqiptarësh këtë herë jo vetëm brenda por dhe jashtë vendit”, u shpreh Rama.
Në fjalën e tij, Rama ndaloi edhe te rritja e çmimit të naftës, duke e lidhur atë me faktorë ndërkombëtarë, si luftërat, për të cilat Shqipëria nuk ka ndikim. Ai shpjegoi se heqja e taksës së qarkullimit do të sillte një ulje të përkohshme të çmimit, por do të rëndonte më shumë financiarisht qytetarët që zotërojnë automjete.
“Çmimi i naftës që rritet si rezultat i një lufte që as e kemi hapur ne as na ka pyetur njëri ne a duam apo jo. Ne e kemi bërë llogarinë, nëse ne e heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës, çmimi do të bjerë, por ama të gjithë ata që kanë një automjet, do të duhet të paguajnë 4-fishin e asaj që u bie sot, mesatarisht. Në vend që ti ngarkojmë me 4-fishin të gjithë, ne e kemi menduar që më mirë, kush shpenzon më shumë naftë, paguan më shumë. Në njëfarë mënyre, ata që djegin më shumë karburant, janë më ndotës. ”, tha Rama.
/rtsh.al/