E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta drejt 2 eurove për litër, Xhixho: Qeveria po varfëron shqiptarët

Zv. presidentja e Partia e Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar për rritjen e çmimit të karburanteve në vend, duke deklaruar se nafta ka arritur rreth 1.95 euro për litër, ndërsa sipas saj Shqipëria vijon të ketë çmimin më të lartë në rajon.

Në një deklaratë për mediat, Xhixho tha se rritja e çmimit të karburantit godet drejtpërdrejt ekonominë e familjeve shqiptare, pasi çdo rritje e naftës reflektohet menjëherë në çmimet e ushqimeve, transportit dhe shërbimeve të përditshme.

Sipas saj, qytetarët shqiptarë paguajnë ndjeshëm më shumë se vendet fqinje për karburantet. Ajo theksoi se në Kosovë çmimi i naftës është rreth 1.18 euro për litër, ndërsa në Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi rreth 1.27 euro, duke shtuar se kjo diferencë lidhet me nivelin e lartë të taksave dhe akcizave në Shqipëri.

Xhixho theksoi se rreth 60% e çmimit të naftës përbëhet nga taksa, duke argumentuar se kjo situatë rëndon mbi familjet dhe bizneset shqiptare, ndërkohë që vendi ka edhe pagat më të ulëta në rajon.

Ajo shtoi se rritja e kostos së jetesës ka vështirësuar gjithnjë e më shumë situatën ekonomike të qytetarëve, duke theksuar se një pjesë e madhe e familjeve shqiptare shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit vetëm për ushqime.

Në këtë kuadër, Partia e Lirisë ka propozuar pezullimin deri në fund të vitit 2028 të Taksës së Qarkullimit dhe Taksës së Karbonit, si një masë për të ulur çmimin e karburantit dhe për të lehtësuar barrën ekonomike për familjet dhe bizneset.

Në përfundim, Xhixho i bëri thirrje mazhorancës që ta miratojë këtë propozim me procedurë të përshpejtuar, duke theksuar se qytetarët shqiptarë nuk mund të vazhdojnë të paguajnë naftën më të shtrenjtë në rajon, ndërkohë që përballen edhe me pagat më të ulëta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›