“Nafta në Shqipëri, më e shtrenjtë se në rajon”, Berisha: Faktorët kryesorë janë taksat dhe kontrabanda

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi në selinë e PD-së me departamentin e Burimeve Njerëzore, u ndal te çmimi i naftës në vend, duke e cilësuar si më të lartin në Europë dhe botë në raport me fuqinë blerëse të qytetarëve.
Berisha tha se “litri i naftës iu kushton shqiptarëve 7 herë më shumë se gjermanëve dhe zviceranëve” dhe e konsideroi këtë si pasojë të politikave fiskale të qeverisë.
Ai akuzoi ekzekutivin se ka bërë akcizën e naftës të indeksueshme me inflacionin, duke e rritur çdo vit dhe duke rënduar ndjeshëm çmimin final.
“Nuk jua bën pensionistëve indeksimin e pensioneve. Jo, i mashtron, indekson akcizën e naftës dhe e rrit atë në përputhje me inflacionin. Kjo jep një rritje të ndjeshme çdo vit dhe rëndon me 40 lek të vjetra në çmimin e saj,” u shpreh Berisha.
Në këtë kontekst, Berisha shtoi se sipas llogaritjeve, ngarkesa fiskale për litër nafte në Shqipëri është rreth 1.1 euro, ndërsa në Maqedoni dhe Kosovë është 0.7 euro, duke e bërë çmimin në vendin tonë rreth 40% më të lartë.
Kreu i demokratëve, ngriti gjithashtu shqetësimin për kontrabandën e naftës, duke deklaruar se, “350 mijë ton naftë kontrabandë zhduken çdo vit. Nuk zhduket nafta transit, por zhduken 350 mijë ton naftë kontrabandë. Dhe kontrabandën nuk mund ta bëjë njeri tjetër përveç qeverisë. Nafta e tëra vjen me anije. Dhe është vërtetuar se anijet e Libisë vijnë për qeverinë. Është gjetur. Po ato vijnë, kapen dhe mbyllen se janë anijet e qeverisë. Nafta, në qoftë se ti e taton 60 përqind të çmimit litrin, ti faktikisht bë një plaçkitje masive të shqiptarëve”.Dy janë faktorët kryesorë të këtij çmimi ndëshkues të litrit të naftës në Shqipëri: ngarkesa fiskale më e lartë në botë dhe kontrabanda më e madhe, e cila është kontrabandë qeveritare,” tha ai.
Sipas Berishës, kjo situatë ka pasoja të drejtpërdrejta për fermerët, transportin dhe çmimet e ushqimeve, duke e cilësuar si një barrë të rëndë për qytetarët.
/rtsh.al/