E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nafta në rritje, goditen qytetarët”/ Teliti në Fax News: Rritja e çmimeve po rëndon familjet dhe bizneset

Rritja e çmimit të karburanteve në Shqipëri vijon të jetë një nga shqetësimet kryesore për qytetarët dhe bizneset, duke ndikuar drejtpërdrejt në koston e jetesës dhe aktivitetin ekonomik. Sipas ekspertit të ekonomisë, Dorian Teliti, kjo situatë nuk lidhet vetëm me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, por edhe me faktorë të brendshëm si niveli i lartë i taksimit dhe mënyra se si funksionon tregu vendas.

Në një analizë të bërë në Fax News me gazetaren Fatime Baçi Teliti shpjegoi se pjesa më e madhe e çmimit të naftës që paguajnë shqiptarët shkon për shtetin, ndërsa vetëm një pjesë më e vogël përfaqëson kostot reale të produktit dhe zinxhirin e furnizimit.

“Çmimi që paguajnë qytetarët shqiptarë në pikat e karburantit përbëhet në masën 60% nga taksat që mbledh shteti dhe vetëm 40% përfaqëson të gjithë zinxhirin e kostove të tjera. Pjesa tjetër, është një autoritet, është një aktor që rri duarkryq. Shikon, bën sehir. Quhet shteti shqiptar. E shteti shqiptar merr, merr 60% të çmimit. Pra në atë vlerë që kemi të karburantit ne sot që e blejmë litrin mbi 2200 lekë, 40% e kësaj është gjithë ai rrugëtimi i gjatë që nga nxjerrja në tokës, nën tokë atje në një vend të huaj, e deri te transportimi, përpunimi e fitimi i kompanive e gjithë me radhë. Ndërkohë që 60% e merr qeveria shqiptare. Dhe kjo gjitha bashkë, plus dhe fitimin e kompanive shqiptare që importojnë, plus me fitimin edhe të pikave të karburantit, të gjitha ato 40% bëjnë këtë çmimin. 60% tjetër i përket shtetit që rri duarkryq, vetëm arkëton. Asgjë tjetër s’bën, vetëm arkëton, mbush arkën e shtetit.”

Teliti theksoi se një situatë e tillë, e kombinuar edhe me një treg që funksionon në kushte të kufizuara konkurrence, e bën edhe më të rëndë barrën për konsumatorët, duke i lënë ata pa mbrojtje përballë çmimeve të larta.

Ai u ndal edhe te reforma territoriale, për të cilën u shpreh se nuk ka arritur të përmbushë qëllimin e saj dhe ka ndikuar negativisht në zonat rurale.

Sipas tij, ndarja aktuale administrative ka thelluar pabarazitë dhe ka kontribuar në braktisjen e fshatit, duke e bërë të nevojshëm një rishikim të plotë të reformës, me më shumë bashki dhe më shumë autonomi vendore.

Në përfundim, Teliti paralajmëron se pa masa konkrete nga qeveria për uljen e barrës fiskale dhe rregullimin e tregut, çmimet e larta të karburanteve do të vijojnë të rëndojnë mbi familjet shqiptare dhe bizneset.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›