E Hënë, 2 Nëntor 2026

Naftëtarët e Marinzës prej 7 ditësh në grevë urie, Shahu: Drejtuesit e kompanisë na bëjnë presion

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Naftëtarët e kompanisë Bankers Petroleum në Marinzë prej shtatë ditësh janë në grevë urie, pasi kërkojnë rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës.

Dritan Shahu, njëri nga naftëtarët i futur në grevë së bashku me kolegët e tij, tha se iu kanë ofruar vetëm të drejtat e trajtimit ushqimor, por kjo gjë nuk zgjidh problemet e tyre.

“Sot kemi pasur një takim me shoqërinë “Bankers” e cila ka kërkuar takim, na dhanë të njëjtën gjë, ofrojnë vetëm të drejtat e trajtimit ushqimor, gjë e cila nuk zgjidh problemet, të cilat ne kemi kërkuar. Të gjithë bashkë ne kemi vendosur që të vazhdojmë grevën deri në realizimin e kërkesave tona”, tha Shahu.

Shahu theksoi se problem i naftëtarëve vijon që prej vitit 2024 dhe ende nuk është gjetur një zgjidhje duke bërë që ata të zhvillojnë tubime dhe së fundmi të ndërmarrin aktin e grevës së urisë.

“Ky shqetësim nuk është se ngrihet sot nga ana jonë. Ne kemi që nga viti 2024 me shoqërinë për adresimin dhe zgjidhjen e këtyre problemeve dhe nuk kemi arritur dot një zgjidhje, duke na çuar në disa tubime dhe së fundmi në grevë ”,  u shpreh Shahu në një intervistë televizive.

Ai vuri në dukje më tej se një prej grevistëve ka humbur ndjenjat, është shembur në tokë dhe më pas është dërguar në spital ku edhe ka marrë trajtimin mjekësor.

“Ka qenë 3 herë ambulanca pranë ambienteve të grevës. Një grevist i cili ka pezulluar punën sipas vendimit tonë, ka humbur ndjenjat. Nga humbja e ndjenjave është shembur në tokë. Ka thyer edhe krahun. Është dërguar menjëherë në spitalin e Fierit dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Kjo ka ardhur për shkak të trysnisë, ankthit, stresit dhe prej gjithë kësaj situate të krijuar ka bërë që të humbasë ndjenjat dhe të shembet në tokë”, theksoi më tej Shahu.

Ai shtoi më tej se drejtuesit e kompanisë janë duke ushtruar presion mbi grevsitët në mënyrë që ata të kthehen në punë.

“Përgjatë ditëve të fundit janë kontaktuar punonjësit për t’u rikthyer në vendet e punës, nga shefat dhe menaxherët e tyre. Gjithashtu edhe nga menaxhmenti i lartë ku ka diskutime të përditshme midis drejtuesve kinezë dhe menaxherëve shqiptarë për t’i dhënë fund grevës, duke intimiduar punonjësit që të kthehen në punë. Ka pasur edhe një memorandum ku është thënë që të gjithë ata që mbështesin grevën dhe kanë hyrë në grevë urie pas tre ditëve do të hiqen edhe nga puna, gjë e cila është e paligjshme. Këtu greva është e ligjshme dhe këtu kanë shpallur grevë të gjithë punonjësit dhe do të vazhdojmë deri në realizimin e kërkesave tona”, tha ai.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›