E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përmet, hapet qendra e rikuperimit të materialeve të riciklueshme

TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Në qytetin e Përmetit u hap sot qendra e re e rikuperimit të materialeve të riciklueshme, financuar nga projekti i Bashkimit Europian “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Qytete të Jetueshme”, në bashkëpunim me Gjermaninë.

Ky investim mbron mjedisin dhe shëndetin publik, ndërsa mbështet Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 27 – Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike.

Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të qendrës ishin ambasadori i BE-së në vendin tonë, Silvio Gonzato, ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, drejtori i Bashkëpunimit për Zhvillim, Iven Schad, dhe Christine König nga Komisioni Europian.

Kryebashkiakja e Përmetit, Alma Hoxha u shpreh se kjo qendër nuk është thjesht një investim për menaxhimin e mbetjeve, por një hap i madh drejt një kulture të re mjedisore për Përmetin. “Kur puna bëhet me vizion, me partnerë të mirë dhe me përkushtim ndaj njerëzve, rezultatet janë të prekshme”, shtoi ajo. Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, nënvizoi se ky është modeli i duhur i bashkëpunimit midis qeverisë, partnerëve ndërkombëtarë dhe pushtetit vendor, që sjell rezultate konkrete për qytetarët.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato tha se “Përmeti po tregon se si mund të duket e ardhmja e ekonomisë qarkulluese në Shqipëri. Kjo qendër e re mban mbetjet larg lumenjve dhe landfilleve, krijon mundësi ekonomike dhe mbështet rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së”.

“Gjithashtu qendra tregon se kur komunitetet lokale, BE-ja dhe partnerët tanë punojnë së bashku, ndryshimi bëhet realitet”, theksoi Gonzato.

Qendra e ndërtuar me ekspertizën e GIZ — do të grumbullojë, ndajë dhe presojë materiale si plastika, letra dhe metali, duke i mbajtur larg landfilleve, lumenjve dhe natyrës.

Këto materiale të riciklueshme mund të shiten më pas tek industria e riciklimit, duke ndihmuar bashkinë të mbulojë kostot operative dhe madje të gjenerojë të ardhura.

Bashkia e Përmetit grumbullon rreth 1700 tonë mbetje në vit dhe pothuajse vetëm një e treta e tyre mund të riciklohet.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›