Naftëtarët kërkojnë angazhim institucional për ndërmjetësim me “Bankers Petroleum”

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Dhjetë naftëtarë të kompanisë “Bankers Petroleum” në Marinzë prej tetë ditësh janë në grevë urie, pasi kërkojnë rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës.
Sindikata e Naftëtarëve i ka dërguar sot një letër Kryeministrit Edi Rama dhe për dijeni Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.
Në këtë letër thuhet se “duke qenë se situata është bërë kritike dhe rrezikon si shëndetin e punonjësve, ashtu edhe sigurinë e vendburimit, kërkojmë ndërhyrjen tuaj të menjëhershme dhe angazhimin e institucioneve përkatëse për të ndërmjetësuar dhe zgjidhur këtë situatë në mënyrë të drejtë e të qëndrueshme”.
Gjithashtu, Sindikata e Naftëtarëve kërkon që të garantohet trajtim dinjitoz për naftëtarët, të cilët me përkushtim e sakrificë kanë kontribuar për vite me radhë në sektorin strategjik të kësaj industrie.
Kompania “Bankers Petroleum” nga ana e saj, është shprehur në një reagim se do të bëjë vetëm rritjen e trajtimit ushqimor në nëntor, pasi nuk është në gjendje të miratojë ndonjë rritje shtesë të pagave.
“Pavarësisht sfidave aktuale, kompania mbetet e përkushtuar për të zbatuar rritjen e planifikuar të trajtimit ushqimor, që do të hyjë në fuqi më 1 nëntor. Aktualisht, ne nuk jemi në gjendje të miratojmë ndonjë rritje shtesë, për shkak të presioneve të vazhdueshme financiare, duke përfshirë rënien e çmimeve të naftës në 60 dollarë amerikanë për fuçi dhe parashikimet që sugjerojnë një rënie të mëtejshme vitin e ardhshëm dhe gjithashtu një kurs këmbimi të pafavorshëm të dollarit amerikan i cili ka rritur kostot lokale me 30%. Fokusi ynë mbetet në sigurimin e vazhdimësisë së pagave dhe ruajtjen e stabilitetit financiar të kompanisë”, theksohet në reagimin e kompanisë.
Një prej naftëtarëve grevistë, Dritan Shahu u shpreh dje në një intervistë televizive se të gjithë bashkë janë të vendosur që greva të vazhdohet deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Shahu theksoi se problem i naftëtarëve vijon që prej vitit 2024 dhe ende nuk është gjetur një zgjidhje duke bërë që ata të zhvillojnë tubime dhe së fundmi të ndërmarrin aktin e grevës së urisë.
/e.i/r.e/a.f/

