Nata Finale, artistët parakalojnë në tapetin e kuq të “Festivalit të Pranverës”

Në Teatrin e Operas dhe Baletit atmosfera është ndezur, teksa edhe pak minuta na ndajnë nga nata finale e Festivalit të Pranverës.
Artistët po parakalojnë në tapetin e kuq, duke ndarë emocionet e natës së parë dhe pritshmëritë për spektaklin e madh që do të kurorëzojë fituesin e këtij edicioni.
Stilistja Miranda Dupi u ndal te filozofia e veshjeve në këtë festival, teksa vlerësoi edhe iniciativën për rikthimin e këtij Festivali.
“Filozofia jonë ka qenë për gjëja më moderne dhe më abstrakte. Bravo Eni Vasilit dhe gjithë RTSH që solli këtë festival kaq të dashur për të gjithë publikun”, tha ajo.
Nga ana e jurisë “Pranvera Digjitale”, Amos Zaharia theksoi konkurrencën e fortë mes artistëve.
“Në këtë edicion na kanë vënë në siklet pjesëmarrësit sepse konkurrenca është shumë e fortë, këngët janë shumë të bukura dhe po na e bëjnë të vështirë. Më pëlqeu shumë performaca, fakti që kishte në vizion skenik. Kishte shumë performanca që kishin edhe një stil, edhe një vizion”, tha ai.
Sarah Berisha, gjithashtu pjesë e jurisë, tregoi se tashmë ka tre këngë të preferuara, por vendimi final do të merret sonte.
“Sot emocionet janë akoma më të mëdha, dje e kemi shijuar këngët dhe performancat, por sot duhet të zgjedhim fituesin. Kam një treshe timen, por më duhet t’i rishikoj sërish sonte”, tregoi ajo.
Anëtarja e jurisë profesioniste, këngëtarja Kejsi Tola, ka vlerësuar rikthimin e Festivalit të Pranverës dhe energjinë që ky edicion ka sjellë në skenë. Ajo u ndal veçanërisht te zërat e rinj pjesëmarrës, duke i cilësuar si një pasuri për muzikën shqiptare.
“Këngët e Festivalit të Pranverës janë këngë që i kemi kënduar gjithmonë dhe ky rikthim ishin shumë i bukur. Mua më pëlqen shumë e gjithë energjia, jam shumë e lumtur që jam pjesë pak më e brendshme e këtij Festivali. Besoj se të gjithë e ndjejmë freskinë e këtij festivali. Këngët janë fantastike, jam e lumtur që ka zëra të rinj, potentë. Më pëlqen fakti që ka zëra që po e bëjnë muzikën shqiptare edhe më të bukur dhe këto festivale japin mundësinë që publiku t’i njohë më tepër. Është i freskët ky festival në çdo kuptim të tij”, tha ajo.
Kjo mbrëmje finale premton një spektakël të vërtetë, ku muzika, emocionet dhe surprizat do të ndërthuren për të kurorëzuar fituesin e Festivalit të Pranverës. Në skenë pritet të ngjitet Frederik Ndoci, Jonida Maliqi, Eneda Tarifa etj.
/rtsh.al/