E Hënë, 2 Nëntor 2026

Natalia Qirjo, studentja e pasionuar pas arkeologjisë, tërhiqet drejt zbulimit të së panjohurës

Natalia Qirjo është një vajzë e re, e apasionuar pas historisë dhe trashëgimisë kulturore. Ajo është studente në Universitetin e Tiranës, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, në degën Arkeologji dhe Trashëgimi Kulturore. Ka tre vite që kontribuon në zbulimin e pasurive të nëndheshme të vendit tonë.

“Kur mbarova gjimnazin, isha më e prirë drejt degëve shoqërore dhe duke parë listën e degëve mu duk shumë interesante arkeologjia dhe kur fillova Masterin mu plotësua akoma më shumë dëshira sepse ishte gjëja e duhur që po bëja”, tha studentja.

Natalia është përfshirë në gërmimet arkeologjike në Parkun Antik të Antigonesë, ku tashmë është bërë pjesë e një grupi kërkimor italo-shqiptar që po zhvillon studime të thelluara shkencore mbi këtë zonë historike.

“Mua personalisht më pëlqen shumë dhe më duket shumë interesante si gërmimi arkeologjik dhe pjesa e terrenit. Dhe më pas studimi i materialit, publikimi i artikujve”, shprehet ajo.

Gjatë këtyre viteve, Natalia ka marrë pjesë në ekspedita dhe praktika të shumta arkeologjike të organizuara nga universiteti, duke dhënë një kontribut domethënës në zbulimet arkeologjike dhe duke forcuar gjithnjë e më shumë pasionin e saj për këtë fushë.

“Këtu në Antigonë është viti im i tretë që jam pjesë e gërmimeve arkeologjike, por kam qenë edhe në vende të tjera, pjesë e projekteve si në Lin, të Pogradecit të Korçës. Gjetjet ishin përsëri qeramika, litik, por ishin të periudhës së Neolitit të Hershëm”, tha Natalia.

Për Natalinë, çdo gërmim është një udhëtim në kohë, një përpjekje për të lidhur të shkuarën me të tashmen, dhe për të ruajtur trashëgiminë që i përket brezave të ardhshëm.

Gazetare: L. Koçiu 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›