Lufta në Ukrainë, Komisioni Europian miraton paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Rusisë

Komisioni Evropian ka miratuar një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë. Lajmi është komunikuar nga zëdhënësja e komisionit, Paula Pinho.
Komisioni Evropian ka propozuar ndalimin e importeve ruse të LNG-së deri më 1 janar 2027, një vit më herët se sa ishte planifikuar. Kjo paketë e re sanksionesh pritet që të prekë bankat, transportin që Moska përdor për t’iu shmangur sanksioneve, si dhe vendosjen në listën e zezë të një numri personash, kryesisht atyre që konsiderohen si përgjegjës për rrëmbimin e fëmijëve ukrainas.
Detajet mbi përmbajtjen e paketës do të jepen më vonë nga presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
Kjo është paketa e 19-të e sanksioneve që Komisioni Europian vendos ndaj Rusisë, që prej luftës mbi 3-vjeçare që Moska ka nisur ndaj Ukrainës.
Sanksionet e mëparshme kundër Rusisë kanë synuar ekonominë, industritë kryesore, zinxhirët e furnizimit ushtarak dhe individët e lidhur me luftën në Ukrainë.
/rtsh.al/