E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndahet nga jeta Martin Parr, fotografi britanik që dokumentoi edhe Shqipërinë e tranzicionit

LONDËR, 7 dhjetor/ATSH/ – Fotografi i njohur dokumentar britanik Martin Parr, një nga figurat më me ndikim të fotografisë bashkëkohore, ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare. Lajmi u konfirmua për BBC News nga drejtoresha e Martin Parr Foundation, Jenni Smith, sipas së cilës fotografi ndërroi jetë të shtunën në banesën e tij në Bristol. Në një deklaratë, fondacioni theksoi se ai “do të mungojë shumë”, duke lënë pas bashkëshorten Susie, vajzën Ellen, motrën dhe nipin, ndërsa familja ka kërkuar privatësi.

I njohur për qasjen e tij ironike ndaj jetës së përditshme dhe për ngjyrat e saturuara të imazheve, Parr u bë i famshëm në mesin e viteve ’80 me projektin “The Last Resort”, i cili dokumentonte jetën e shtresës punëtore në New Brighton të Merseyside. “Unë bëj fotografi serioze të maskuara si argëtim”, kishte deklaruar ai.

Gjatë karrierës së tij mbi 50-vjeçare, Parr dokumentoi ritualet, paradokset dhe absurditetet e përditshmërisë britanike – gjithmonë me një sy kritik, por të mbushur me empati. Vetëm një muaj më parë, në një intervistë për AFP, ai theksonte se “bota ka nevojë më shumë se kurrë për satirën” që përçonte puna e tij.

Në një homazh publik, Diane Smyth, redaktore e British Journal of Photography, e përshkroi Parr si “një gjigant të fotografisë së pasluftës”, ndërsa bashkëpunëtori i tij i gjatë, Jonathan Stephenson, tregoi se ai ndërroi jetë “në paqe, duke parë ndeshjen e futbollit”.

Martin Parr dhe lidhja e tij me Shqipërinë

Pak e njohur për publikun e gjerë është se Martin Parr ka fotografuar edhe Shqipërinë, duke qenë një nga fotografët e parë të Magnum që hynë në vend në fillim të viteve ’90, menjëherë pas rënies së regjimit komunist.

Disa vite më parë, fotografi shqiptar i Magnum, Enri Canaj, gjatë një vizite në arkivin e agjencisë në Paris, zbuloi imazhe të Shqipërisë nga pesë autorë, përfshirë edhe Parrin. Kjo përzgjedhje u bë më pas baza e ekspozitës “Things Take Time”, e hapur këtë verë në COD, Tiranë, e kuruar nga Sylvia Sachini.

Ekspozita përfshin punët e Nikos Economopoulos, Alex Majoli, Carl de Keyzer, Martin Parr dhe vetë Enri Canaj, duke dokumentuar mbi dy dekada të historisë shqiptare – nga viti 1991 deri në fillim të viteve 2000.

Parr në Shqipërinë e viteve të tranzicionit

Martin Parr vizitoi Shqipërinë për herë të parë në vitet 1990–1992, në periudhën e trazuar të rrënimit të regjimit komunist, dhe u rikthye mbi një dekadë më vonë. Në shënimet që shoqërojnë një prej fotografive të tij në Tiranë, ai shkruante:

“Nuk e kisha vizituar Tiranën që prej vitit 1989, dhe nuk kam parë kurrë një qytet të ndryshojë kaq shumë në vetëm 11 vjet. Është praktikisht i panjohshëm: kafe të reja, makina kudo, dyqane të stilit perëndimor… Megjithatë, shumë shqiptarë ende nuk e përballojnë këtë luks, ndaj në rrugë njerëzit qirajojnë telefona privatë për të bërë një telefonatë më lirë se në kabinë.”

Fotot e Parr-it kapin kontrastin mes modernizimit të vrullshëm dhe realitetit të vështirë ekonomik të asaj kohe. Imazhi i famshëm i telefonit të vendosur mbi një tavolinë në mes të një hapësire me mbeturina është ndër dokumentet më simbolike të tranzicionit të Tiranës.

Një Shqipëri e dokumentuar nga pesë sy të Magnum

Ndërsa Parr paraqiste transformimet e qytetit, kolegët e tij të Magnum dokumentuan anë të tjera të vendit:

  • Nikos Economopoulos, i interesuar për historitë e rënies së komunizmit në Ballkan, kapte atmosferën e izolimit të zgjatur dhe autokritikën e hidhur të shoqërisë shqiptare.
  • Carl de Keyzer, i cili vizitoi vendin në 1995, përshkruante realitetin e mungesës së infrastrukturës dhe kontaktit me botën pas dekadave të izolimit.
  • Alex Majoli fotografoi Shqipërinë nga Thethi në veri deri në Sarandë në jug, duke sjellë skena të përditshmërisë, fëmijë që luanin mbi monumente politike dhe një shoqëri në fillim të transformimit.
  • Enri Canaj, i cili u rikthye në vendlindje pas emigrimit në Greqi, dokumentoi jo vetëm realitetin, por edhe përpjekjen për të rindërtuar lidhjen personale me vendin e tij.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›