Ndahet nga jeta ish-kreu i Kadastrës, Artan Lame

TIRANË, 22 maj/ATSH/ Është ndarë nga jeta në moshën 58-vjeçare Artan Lame, një nga figurat e njohura të jetës publike shqiptare. Ai drejtoi për disa vite Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale (ALUIZNI), si dhe mbajti poste të tjera shtetërore, duke qenë aktiv në radhët e Partisë Socialiste.
Artan Lame ndërroi jetë në Mynih ku kishte shkuar për një ndërhyrje në zemër. Edhe në mars të vitit 2016, Artan Lame iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente kirurgjikale në zemër.
Lame ishte publicist, opinionist, studiues i historisë shqiptare dhe një veprimtar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të vendit.
I lindur në Tiranë në vitin 1967, me origjinë nga fshati Qytezë i Kolonjës, Artan Lame la gjurmë si pjesë e shoqërisë civile dhe si funksionar publik.
Në vitin 2000 ishte Drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Nga 2000-2002 nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, 2002-2005 zëvendësministër i Territorit dhe Turizmit. Artan Lame do të mbahet mend veçanërisht për rolin e tij si Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t (2013–2019), një institucion kyç në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale. Më pas, ai mori drejtimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ku qëndroi deri në vitin 2023 dhe më pas u largua për arsye shëndetësore.
Përtej funksioneve publike, Lame ishte një njohës i thellë i historisë shqiptare dhe një zë i angazhuar në mediat shqiptare me analiza, shkrime dhe rubrika që sillnin në vëmendje ngjarje të rëndësishme historike. Koleksionist i pasionuar i artefakteve historike, ai kontribuoi edhe në promovimin e kulturës përmes ekspozitave dhe shkrimeve dokumentuese. Lame ka qenë kandidat për deputet i PS-së në zgjedhjet parlamentare 2005,2009,2013. Dhe në vitet 2011-2013 anëtar i grupit të punës për hartimin e Programit të PS-së.
Veprimtari Publike
Nënkryetar i Federatës së Koleksionistëve Shqiptarë
Përfaqësues i Shqipërisë, anëtar në “World Collectors Club”, Genova
Anëtar korrespodent i “Instituto degli studi Araldici”, Milano
Komisar për Shqipërinë në WPE “IBRA ‘99”, Nuremberg
Drejtor Ekzekutiv “Qendra Shqiptare e Trashëgimisë”
Lektor në Universitetin Marin Barleti, lënda “Administrim territori”
Botime
Rubrika e përjavshme “Shqipni e harrume” në revistën “JAVA”, (2005-2013).
Rubrika e përjavshme “Shqipni tavolinash” në gazetën “SHQIP”, (2006-2013).
TIRANA në kartolina deri më 1944, (grup autorësh) Tiranë 2000
Medaljet shqiptare (1914-1944) vëllimi I, Tiranë 2010
Medaljet shqiptare (1945-2002) vëllimi II, Tiranë 2010
TIRANA, Planin, Building, Living, (grup autorësh), Wien 2011
Princi i Shqiptarëve, Tiranë 2011
Piramida e Tiranës (bashkarisht me Ardian Klosi), Tiranë 2011
Dekorime
Çmimi “Book of the year” (2010) nga MIC London për lindrin “Medaljet shqiptare 1914-2002”
Dekoruar nga Presidenti i Republikës me “Medaljen e Mirënjohjes” për aktivitetet e 100 vjetorit të Pavarësisë.