Ndahet nga jeta në moshën 91-vjeçare ikona e muzikës italiane Gino Paoli

Është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare Gino Paoli, një nga figurat më të mëdha të muzikës italiane dhe një prej emrave më përfaqësues të kantautorëve të shekullit XX.
Paoli u shqua për stilin e tij të veçantë dhe për tekstet poetike, duke krijuar disa nga këngët më të dashura për publikun ndër vite. Ai ishte autor i hiteve të njohura që kanë mbetur në memorien kolektive, si “Il cielo in una stanza”, një ndër këngët më ikonike të muzikës italiane apo “Sapore di sale”.
Gjatë karrierës së tij të gjatë, ai bashkëpunoi me artistë të mëdhenj dhe ndikoi ndjeshëm në zhvillimin e muzikës moderne italiane. Kontributi i tij nuk kufizohet vetëm në interpretim, por edhe në krijimtari, duke u konsideruar një nga penat më të rëndësishme të muzikës së vendit.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka ngjallur reagime të shumta në botën e artit dhe më gjerë, ku shumë artistë dhe admirues kanë shprehur vlerësimin për figurën dhe trashëgiminë që ai lë pas.
Me vdekjen e tij, Italia humb një ikonë të vërtetë të muzikës, ndërsa veprat e Gino Paoli do të vijojnë të jetojnë përmes brezave.