Ndarja nga jeta e Artur Zhejit, Kurti: Fjala e tij nuk thuhej për t’u harruar të nesërmen

PRISHTINË, 24 gusht/ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti përcolli sot vlerësimin e tij për sigurën e gazetarit dhe publicistit Artur Zheji i cili u nda dje nga jeta në moshën 64-vjeçare.
Kurti e cilësoi Artur Zhejin, personalitet të medias së shkruar e asaj televizive.
“I kujtoj bashkëbisedimet me të, para apo pas kamerave, sepse të rrallë kanë qenë dhe janë gazetarët që, përtej lajmit të ditës, angazhohen e thellohen me seriozitet intelektual te çështjet e subjektet me të cilat ballafaqohen. I tillë ishte Artur Zheji, fjala e të cilit nuk thuhej për t’u harruar të nesërmen”, shkroi Kurti në rrjetet sociale.
Kurti solli në kujtesë se “i ati i lindur në Gjirokastër, intelektuali erudit dhe përkthyesi eklektik Petro Zheji. E ëma e lindur në Gjakovë, aktorja e shquar e Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe e Kinostudios “Shqipëria e Re”, Besa Imami”.
“Duke ardhur prej një familje të tillë, është e kuptueshme pse Artur Zheji nuk mund t’ishte i përciptë në trajtimin e Kosovës dhe më gjerësisht shqiptarëve në rajon. Ai ishte jo thjesht një reporter i luftës, por një gazetar aktivist, një patriot i emancipuar, një dokumentues i angazhuar, që ndihmoi të ndërkombëtarizohej çështja jonë e të rritej jehona e kërkesës sonë të drejtë për liri”, përfundoi Kurti duke përcjellë i ngushëllime familjes, të afërmve, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe publikut për këtë humbje të madhe.