E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndarja nga jeta e Enver Petrovcit, Berisha: Kolosi i skenës do të mbetet i gjallë përgjithmonë në kujtesën e kombit

Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit të mirënjohur Enver Petrovci.

Berisha ka shprehur ngushëllimet e tij ndaj familjes së të ndjerit, ndërsa deklaron se kolosi i skenës, regjisë së teatrit dhe filmit kombëtar e ndërkombëtar, do të mbetet i gjallë përgjithmonë në trashëgiminë, veprën dhe kujtesën e kombit.

“Dielli perëndoi përgjithmonë për të pavdekshmin Enver Petrovci. Të dashur miq, arti dhe kultura e kombit shqiptar janë në zi. Enver Petrovci, një kolos i skenës, regjisë së teatrit dhe filmit kombëtar por edhe ndërkombëtar, mbylli sytë përgjithmonë.

Artist, regjisor dhe skenarist i shquar, ndër më të mëdhenjtë e kombit, Enver Petrovci me veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme dhe gjeniun e tij krijues mbetet i gjallë përgjithmonë në trashëgiminë, veprën dhe kujtesën e kombit.

Duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij të nderuar, miqve dhe të afërmve, lutem së bashku me ta që shpirti i madh i Enver Petrovci të gjejë paqen e merituar. Amin.”, shkruan Berisha.

Regjisori i mirënjohur Enver Petrovci u nda nga jeta ditën e djeshme (22 shtator) në moshën 71-vjeçare.

Enver Petrovci lindi në Prishtinë, më 28 shkurt 1954, ku fillimisht ndoqi studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në degën e aktrimit, ndërsa më pas u diplomua në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit.

Karriera e tij u shënua nga role të shumta në teatër dhe film, si në Shqipëri, edhe në Kosovë, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike. Ai u bë i njohur në mbarë ish-Jugosllavinë, sidomos në teatrin “Atelje 212” të Beogradit.

Petrovci u vlerësua si një ndër aktorët më të shquar të kohës, me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare: çmimi i parë në Festivalin Mbarëkombëtar “Aleksandër Moisiu” Tiranë (1993), aktori më i mirë në Festivalin e Filmit Kosovar (2003 dhe 2004), aktori më i mirë protagonist në Festivalin e Teatrove të Kosovës (2007), dhe aktori më i mirë në Tirana International Film Festival (2010).

Përveç skenës, ai dha një kontribut të madh edhe në edukimin e brezave të rinj të artistëve, si njëri nga themeluesit dhe profesorët e parë të degës së Artit Dramatik pranë Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›