Përfundon restaurimi i banesës e Angonatëve në Gjirokastër – Gonxhja: Ruhet autenticiteti i arkitekturës gjirokastrite

Punimet restauruese në qytetin historik të Gjirokastrës po vijojnë me qëllim ruajtjen e pamjes origjinale të tij, duke e mbajtur të gjallë trashëgiminë kulturore që tërheq mijëra turistë vendas dhe të huaj çdo vit.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur se ka përfunduar restaurimi i banesës “Angonatët”, një monument kulture i Kategorisë I, që përfaqëson një nga shembujt më të veçantë të arkitekturës gjirokastrite.
Sipas ministrit, ndërhyrjet janë kryer në çati, fasadë dhe elementët mbrojtës të banesës, duke i dhënë asaj një pamje të re, por pa cenuar autenticitetin historik. Restaurimi synon jo vetëm ruajtjen e vlerave arkitektonike, por edhe mbrojtjen e objektit për brezat e ardhshëm.
Gonxhja shkruan se banesat si “Angonatët” përfaqësojnë zhvillimin e banesës qytetare në Gjirokastër, me veçori të tilla si dritaret e shumta, ballkoni unik dhe tre oborre të brendshme, që dëshmojnë për përshtatjen e saj me kohën dhe stilin lokal.
“Ky kompleks banimi është një dëshmi e rrallë e arkitekturës gjirokastrite, ku dritaret e shumta, ballkoni unikal dhe prania e tre oborreve tregojnë për zhvillimin e banesës qytetare dhe përshtatjen e saj me kohën.”- shkruan Gonxhja.
Ky projekt është pjesë e një angazhimi më të gjerë për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke e kthyer Gjirokastrën në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për vizitorët.
/rtsh.al/