E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndarja nga jeta e Kryepeshkopit Anastas Janullatos, Spiropali: Ringriti dhe konsolidoi Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka shprehur ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Në mesazhin e saj, Spiropali theksoi se Kryepeshkopi ka kontribuar ndjeshëm në forcimin e harmonisë dhe bashkëjetesës fetare, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel botëror. Ajo e vlerësoi lart figurën e Kryepeshkopit për angazhimin e tij në promovimin e paqes dhe unitetit ndërmjet besimeve të ndryshme.

“Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe besimtarët orthodhoksë humbën sot Kryebariun e tyre, Fortlumturinë e Tij, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.

Me vizionin hyjnor, dashurinë e pashterrshme, dijet e gjera, erudicionin e pafund, respektin për besimet dhe komunitetet e tjera fetare, shpirtin e tolerancës, përdëllimin e pashoq, komunikimin e ëmbël fetar e njerëzor, Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Anastas, në kushte të mungesave e vështirësive shumë të mëdha, për më shumë se tre dekada, ringriti dhe konsolidoi Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, projektoi, mbështeti e promovoi institucionet arsimore, humanitare, shëndetësore e kulturore dhe kontribuoi në harmoninë e bashkëjetesën fetare në Shqipëri e në botë.

Ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të madhe! Nderim e mirënjohje për trashëgiminë e Kryepeshkopit Anastas!

U prehtë në paqe e përjetësi!”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›