E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndarja nga jeta e ish-emirit të Katarit, Rama mesazh ngushëllimi: Një lider vizionar, la pas një nga transformimet më të jashtëzakonshme kombëtare

Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet e tij pas ndarjes nga jeta të ish-emirit të Katarit, Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani, duke e cilësuar atë një burrë shteti vizionar dhe një lider historik.

Në një reagim në rrjetin social X, pas lajmit për vdekjen e ish-udhëheqësit të Katarit, Rama vlerësoi rolin e Sheikh Hamad në transformimin e vendit dhe në forcimin e pozitës së tij në arenën ndërkombëtare.

“Ishte trishtuese të mësoja për ndarjen nga jeta të Lartmadhërisë së Tij, Amirit të Katarit, Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani. Një burrë shteti vizionar dhe një udhëheqës historik, ai ia kushtoi jetën e tij përparimit të Katarit dhe hodhi themelet për një nga transformimet më të jashtëzakonshme kombëtare të kohës sonë”, u shpreh Rama.

Ky i fundit theksoi se, nën drejtimin e Sheikh Hamad dhe më pas të pasardhësit të tij, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, Katari është kthyer në një shembull të zhvillimit dhe modernizimit, duke ruajtur njëkohësisht identitetin dhe trashëgiminë e tij kulturore. Rama nënvizoi gjithashtu marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Katarit, duke i cilësuar ato si raporte miqësie, respekti të ndërsjellë dhe bashkëpunimi në rritje.

Në emër të popullit shqiptar dhe personalisht, kryeministri i shprehu ngushëllimet familjes Al Thani, Emirit aktual të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, si dhe kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani.

Postimi i plotë:

Me pikëllim mësova për ndarjen nga jeta të Lartmadhërisë së Tij, Atit Emir, Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani. Një burrë shteti vizionar dhe një udhëheqës historik, ai ia kushtoi jetën përparimit të Katarit dhe hodhi themelet e një prej transformimeve kombëtare më të jashtëzakonshme të kohës sonë. Falë vizionit dhe frymëzimit të tij, të çuar përpara nga udhëheqja e shkëlqyer e djalit dhe pasardhësit të tij, Katari është shndërruar në një burim frymëzimi, përtej rajonit të tij: një komb i aftë të përqafojë transformime të jashtëzakonshme, duke ruajtur njëherazi një krenari të admirueshme për identitetin, trashëgiminë dhe karakterin e tij të pasur kulturor.

Shqipëria dhe Katari ndajnë një lidhje miqësie, respekti të ndërsjellë dhe bashkëpunimi në rritje, të cilën e vlerësojmë thellësisht. Ne e kemi parë gjithmonë me admirim të madh transformimin e Katarit dhe angazhimin e tij të jashtëzakonshëm ndaj kulturës, arsimit, dialogut dhe ruajtjes së trashëgimisë. Në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim, i shpreh ngushëllimet e mia më të thella Lartmadhërisë së Tij, Emirit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani; mbarë familjes Al Thani; mikut dhe vëllait tim të dashur, Shkëlqesisë së Tij Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme; si edhe popullit vëlla të Shtetit të Katarit.

U prehtë në paqe të përjetshme shpirti i Lartmadhërisë së Tij, Atit Emir, dhe vizioni dhe trashëgimia e tij vazhdofshin të frymëzojnë Katarin dhe brezat që do të vijnë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›