Ndërhyrje intensive për izolimin e zjarrit në zonën Abaze në Krujë

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Situata e zjarrit në zonën e Krujës vijon të mbetet në monitorim, ndërsa ekipet e emergjencave janë angazhuar për frenimin e përhapjes së flakëve në lagjen Abaze dhe në zonën e Bojës.
Mediet raportojnë se ndërhyrja po kryhet në kushte të vështira për shkak të erës, e cila favorizon përhapjen e zjarrit dhe vështirëson punën e forcave në terren.
Për forcimin e operacionit është vënë në përdorim edhe një helikopter, i cili po kryen ndërhyrje nga ajri në mbështetje të ekipeve tokësore.
Pavarësisht përhapjes së flakëve, deri në këto momente nuk raportohet rrezik i drejtpërdrejtë për banesat në lagjen Abaze dhe nuk ka një urdhër për evakuimin e banorëve.
Banorë të zonës janë bashkuar me forcat operacionale në përpjekjet për të kufizuar përhapjen e zjarrit, ndërsa ekipet zjarrfikëse vijojnë punën për izolimin e vatrave.
Ekipet e insitucionve të linjës po ndjekin në vijimësi situatën, ndërsa prania e mjeteve ajrore dhe forcave në terren synon të parandalojë afrimin e flakëve drejt zonave të banuara.
/e.xh/j.p/