Ndërhyrje kirurgjikale e suksesshme në shërbimin e Neurokirurgjisë në QSUNT

TIRANË, 31 mars/ATSH/ Në shërbimin e Neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ekipi i mjekëve i drejtuar nga prof. Artur Xhumari ka realizuar një ndërhyrje kirurgjikale të suksesshme te një paciente e moshës 67-vjeçare.
Prof. Xhumari dhe ekipi i tij, trajtuan diagnozën e neuralgjisë trigeminale, duke i dhënë zgjidhje një patologjie që shkakton dhimbje të forta dhe të përsëritura në zonën e fytyrës, duke rikthyer buzëqeshjen tek pacientja.
“Ky është një rast që kishte shumë kohë që vuante nga një dhimbje e fytyrës, dhe neurologët janë ata që e diagnostikojnë këtë sëmundje. Ne hymë në pjesën e trajtimit të të sëmurit kur mjekimet nuk kanë më efekt. Pavarësisht se pacientja merr doza të mëdha mjekimi, dhimbja vazhdon dhe të prish cilësinë e jetës, nuk arrin të ushqehesh, të qeshësh”, tha Xhumari.
Sipas prof. Xhumarit, në rastin e zonjës 67-vjeçare, u propozua metoda kirurgjikale për trajtimin e neuralgjisë trigeminale dhe pacientja del nga spitali pa dhimbje dhe pa mjekime.
Në videon e publikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, 67-vjeçarja falënderon stafin e Neurokirurgjisë në QSUNT për trajtimin dhe shërbimin profesional.
“Prej 20 vitesh nuk e dija se si qeshet, as se si hahet bukë. Kam qenë në Itali dhe Suedi, askund nuk kam gjetur mjekë më të mirë se këtu. I ftoj të gjithë pacientët që kanë të njëjtin problem si unë, të vijnë ta takojnë këtë mjek duarartë. Ai është shpëtimtari i kësaj sëmundjeje”, tha ajo.
/e.i/a.f/r.e/