Nderohen dëshmorët e komunës së Prishtinës, krerët institucionalë bëjnë homazhe te varrezat

PRISHTINË, 18 prill /ATSH/ Me rastin e shënimit të Ditës së Dëshmorëve të komunës së Prishtinës, i pari i kryeqytetit, Përparim Rama bashkë me ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa bënë homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Velani.
Kryetari Rama nderoi sakrificën e dëshmorëve për lirinë dhe demokracinë e shtetit të Kosovës.
Ai tha se 18 prilli është dita kur nderohen dëshmorët e Prishtinës, për çka theksoi se të rënët për lirinë e Kosovës “do t’i kemi në zemrat tona”.
“Në këtë ditë madhështore, 18 prilli dita kur edhe i nderojmë dëshmorët, sidomos ata të rrethit të Prishtinës, të Gollakut. Jam këtu me komandant Remin dhe me shokët e tij, luftëtarët e UÇK-së që kemi ardhur së bashku dhe vijmë çdo herë në këtë ditë për të nderuar sakrificën e dëshmorëve, heronjve tanë”, tha Rama.
Lexo po ashtuNesër mbledhja e qeverisë, këto pika pritet të shqyrtohenNdërkaq, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa (Remi) pas homazheve me bashkëluftëtarët e tij, tha se 18 prilli është një ditë e madhe për Prishtinën pasi nderohen dëshmorët e këtij vendi.
Ai theksoi se sakrifica e të rënëve do të nderohet përgjatë në kohë.
Për homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Velani ishte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti bashkë me kabinetin e tij qeveritar.
Kurti nuk u prononcua për media.
Tek varrezat për homazhe erdhën edhe familjarë të dëshmorëve e qytetarë të tjerë.
/KosovaPress/